Është anuluar seanca e rigjykimit e paraparë që të mbahet të mërkurën ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë, tentim vrasje, armëmbajtje pa leje e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Granit Elshani.
Elshani po akuzohet se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club”, në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari tha se kjo seancë është anuluar për shkaqe objektive të njërit anëtarë të trupit gjykues. Ai shtoi se të gjitha palët janë njoftuar me kohë për anulimin e kësaj seanca.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 1 shkurt 2022, ku pritet të jepet mbrojtja e të akuzuarit.
Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.
Ai kishte kërkuar transferimin e lëndës për shkak të mungesës së gjykatësve të krimeve të rënda në gjykatën që ai drejton dhe për shkak se gjyqtarët tjerë të cilët kanë mbetur, kanë bazë për përjashtim në gjykimin e këtij rasti.
Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vjet burgim, Granit Elshanit.
Elshani ishte shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.
Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.
Pas kthimit të rastit në shkallë të parë, rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit B.Sh dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.
Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur B.Sh, i cili kishte qëlluar afër tij.
Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.