Gjykata e Apelit i ka aprovuar pjesshëm ankesat e mbrojtësve të akuzuarit, Sllobodan Gavriqit, të cilin e ka dënuar me 11 vjet burgim nga 13 vjet sa ishte dënuar në shkallë të parë.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka aprovuar pjesshëm me 15.11.2016, ankesat e mbrojtësve të akuzuarit S.G. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 29.06.2016, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. S.G është dënuar me 11 vjet burgim, për veprën penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga 13 sa ishte dënuar në shkallë të parë. Pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pa ndryshuar”, bënë të ditur Gjykata e Apelit në njfotimin e saj.
Sipas kësaj gjykatë, kjo shkallë gjyqëspre i ka pranuar vlerësimet e rrethanave relevante për matjen e dënimit, të gjykatës se shkallës se parë, por ka gjetur se në pranimin e rrethanave lehtësuese të aplikuara, ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari me pranimin e veprimeve inkriminuese, ka kuptuar pasojat e veprimit të tij.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës, e kishte ngritur aktakuzë kundër Sllobodan Gavriqit më 10 korrik të vitit 2015.
Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq, kishte përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit, ku në muajin dhjetor të vitit 2014 në Beograd, është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 kilogramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.
Aktakuza pretendonte se eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist. Sllobodan Gavriq gjatë procesit gjyqësor kishte deklaruar se automjeti i tij nuk ishte kontrolluar deri sa kishte hyrë në Kosovë, dhe kjo nuk ishte hera e parë që këtë eksploziv e kishte sjellë në Kosovë, që sipas tij kishte për qëllim që ta shiste. Ai kishte thënë se gjatë kohës sa kishte qëndruar në Hotelin “Grand” e kishte mbajtur eksplozivin me veti.