Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur sipas ankesave, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 19 prillit 2018, me anë të te cilit ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat e katër të pandehurve për hedhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila ka marrë miratimin e shkallës se parë, S.B. E.B., F.G dhe E.R., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 422 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mbi të parin po ashtu rendojnë edhe katër vepra penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare” nga neni 437 i këtij kodi.
Ndërsa ndaj të dytit rëndojnë dy vepra penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë i të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare” nga i njëjti ligj.
Gjykatë e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të pandehurve për hedhjen e aktakuzës, për pikat 1, 5,7,8,9,10 dhe 11, si të pabazuar, në bazë të nenit 249 par.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës , meqë nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të KPPK-së, dhe se drejtë ka vepruar kur ka hudhur aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale për të pandehurit për pika 2, 3, 4 dhe 5 të aktakuzës.