Tre ish-zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Sadri Hykosmani, Safet Fazliu dhe Adem Zogjani, të dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit ka liruar Sadri Hykosmanin, Safet Fazliun e Adem Zogjanin, që ishin dënuar me burg me kusht. Në këtë rast ishte dënuar edhe ish-shef i Prokurimit të Ministrisë, Nexhat Krasniqi. Avokati i tij ende nuk e ka marrë vendimin.
Tre ish-zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Sadri Hykosmani, Safet Fazliu dhe Adem Zogjani, të dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Apelit.
Hykosmani, Fazliu dhe Zogjani akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me projektin e Parkut Industrial në Drenas.
Lajmin për lirimin e këtyre tre zyrtarëve nga akuza e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i Safet Fazliut, Destan Rukiqi.
“Gjykata e Apelit ka marrë parasysh ankesat tona dhe ka liruar nga akuza të mbrojturit tanë”, tha Rukiqi.
Adem Zogjani, Safet Fazliu dhe Sadri Hykosmani në shtator të vitit të kaluar ishin gjetur fajtorë dhe dënuar nga një trup gjykues me shumicë gjyqtarësh të EULEX-it.
Adem Zogiani ishte dënuar me 10 muaj burgim me kusht, Sadri Hykosmani me 8 muaj burg me kusht si dhe Safet Fazliu me 7 muaj burg me kusht.
Pjesë e këtij procesi gjyqësor është edhe Nexhat Krasniqi, ish-shef i Prokurimit në këtë Ministri.
Krasniqi ishte dënuar me 26 muaj burgim.
Se çfarë ka vendosur Gjykata e Apelit për të nuk dihet. I kontaktuar nga KALLXO.com, avokati i tij, Bajram Tmava, tha se ende nuk e ka pranuar vendimin për këtë rast.
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për gjykimin e këtyre zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.