Apeli merr vendim për herë të tretë për “Currin”, s’e vlerëson të arsyeshme revokimin e dorëzanisë

Prishtinë | 28 Gus 2024 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit për herë të tretë ka vendosur lidhur me çështjen penale ndaj të akuzuarit për fajde Ismet Osmani-Curri, i cili gjendet në arrati. Shkalla e dytë ka vendosur që të anulojë vendimin e Themelores të marrë më 15 gusht 2024, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin me të cilin i ishte ndërprerë masa e paraburgimit “Currit” dhe i është zëvendësuar me dorëzani.

Rasti ka të bëjë me çështjen penale ku Ismet Osmani, bashkë me Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kujtojmë se Osmani kishte munguar në seancë e 1 korrikut 2024, seancë në të cilën me propozim të prokurorit të çështjes Armend Hamiti dhe pas marrjes së mendimit të mbrojtësit të Osmanit, avokatit Besnik Berisha, ishte marrë dorëzania prej 50 mijë euro.

Lidhur me këtë vendim të Themelores në Prishtinë, Apeli e kishte kthyer këtë çështje edhe dy herë të tjera në rivendosje, fillimisht më 15 korrik 2024, dhe më pas më 6 gusht 2024.

Në të dy rastet kur Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje, Themelorja kishte sqaruar se Osmani ka munguar në seancën e datës 1 korrik 2024, e në të cilën seancë avokati Berisha ka sqaruar se për rrethana tjera të një telashi familjar dhe për shkaqe shëndetësore, nuk ka prezantuar në gjykim.

Gjithashtu, Themelorja me rastin e vendosjes pas kthimit në rigjykim nga Apeli, kishte sqaruar se si Gjykatë nuk kanë poseduar asnjë raport mjekësor, për çka Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se nuk janë analizuar raportet mjekësore, pa i poseduar të njëjtat Themelorja.

Gjithashtu, shkalla e parë edhe në vendimin e saj të fundit ka sqaruar se Osmani gjendet në arrati edhe për një rast tjetër dhe se pikërisht nga vetë avokati Berisha, kanë kuptuar se nuk rezulton se Osmani nuk prezanton në gjykim për shkaqe shëndetësore, por për rastin tjetër për të cilin gjendet në arrati.

Prandaj, sipas gjykatës fakti se Osmanit i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë prej 50 mijë euro, e duke ia sqaruar pasojat në çdo gjykim në rast të shkeljes së dorëzanisë, dhe fakti se i njëjti gjendet në arrati, ka përbërë rrethana që ndaj tij të lëshohet urdhërarrest dhe t’i merret shuma e dorëzanisë.

Ndaj vendimit të fundit të Themelores, ankesë ka parashtruar mbrojtësi i Osmanit, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljes esenciale të Kodit të Procedurës Penale, me propozim që aktvendimi të anulohet dhe të mbetet në fuqi masa e dorëzanisë.

Kurse, Prokurori i Apelit përmes shkresës kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e avokatit Berisha.

Mirëpo, Gjykata e Apelit përmes vendimit të tretë të marrë më 26 gusht 2024 nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Beqir Kalludra- kryetar, Hashim Çollaku dhe Abdullah Ahmeti- anëtarë, gjeti se ankesa e avokatit Berisha është e bazuar, me arsyetimin se dispozitivi i aktvendimit të ankimuar është i paqartë dhe në kundërshtim me shkresat e tjera të lëndës, si dhe i pa ekzekutueshëm. Apeli vlerëson se nuk janë marrë për bazë rekomandimet e kësaj Gjykate të dhëna me rastin e aktvendimit paraprak të Themelores.

Po ashtu sipas Apelit, Osmani ka munguar në një seancë dhe se nga avokati Berisha është kuptuar se i njëjti gjendet jashtë vendit për trajtim mjekësor. Për këtë, thuhet se pastaj mbrojtësi i ka bashkëngjitur disa prova materiale, nga të cilat rezulton se i akuzuari është në trajtim mjekësor.

Tutje, Apeli vlerëson se deri te ky vendim ka ardhur pasi që Themelorja në dy rastet kur ishte kthyer çështja në rivendosje, nuk iu është përmbajtur rekomandimeve të Apelit.

Gjithashtu, Apeli vlerëson se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye të qartë me rastin e vlerësimeve të pretendimeve të avokatit Berisha dhe se fillimisht ka revokuar aktvendimin për dorëzani dhe në të njëjtën kohë ka lëshuar urdhërarrestin dhe caktoi paraburgimin dhe konfiskoi dorëzaninë. Në të njëjtën ditë, ka anuluar urdhërarrestin.

Mirëpo, kujtojmë që Themelorja edhe në vendimin e dytë dhe të tretë me rastin e kthimit në rivendosje, nuk kishte caktuar masën e paraburgimit, por vetëm kishte lëshuar urdhërarrest dhe i kishte revokuar Osmanit dorëzaninë.

Apeli kishte konstatuar edhe në vendimin e dytë, por edhe në këtë të fundit se Themelorja në vendimin e saj të dytë dhe të tretë, ndër të tjera kishte caktuar paraburgimin.

Themelorja kishte sqaruar se me rastin e kthimi të çështjes në rivendosje për herë të parë nga Apeli, kanë revokuar vendimin për caktim të paraburgimit dhe urdhërarrestin për zbatim të paraburgimit krejt kjo sipas rekomandimeve të vet Apelit.

Kurse, për lëshimin e letërreshtimit vendor ndaj Osmanit, Apeli thotë se është në kundërshtim me urdhërarrestin e anuluar një muaj më parë, duke mos dhënë arsye të qarta se pse është anuluar. Aty thuhet se gjendja faktike nuk ka ndryshuar në raport me të akuzuarin.

Gjithashtu, Apeli ka sqaruar se deri në vendimin e tyre të fundit nuk është mbajtur asnjë seancë, çka do të vërtetohej nëse Osmani i përgjigjet ftesave të gjykatës. Po ashtu, thuhet se nuk është dhënë arsye lidhur me premtimin e mbrojtjes për praninë e të akuzuarit në seancën e radhës.

Mirëpo, Themelorja për këtë rrethanë në vendimin e fundi kishte sqaruar se Osmani tashmë është vërtetuar se nuk po iu përgjigjet ftesave të gjykatës.

Fillimisht, për seancën e datës 1 korrik kanë dërguar ftesën për seancë mirëpo nga Posta është kthyer përgjigja se nuk kanë mundur të dorëzojnë ftesën për seanca, për çka Themelorja kishte obliguar Stacionin Policor në Graçanicë për dorëzim të ftesës për seancë, mirëpo nga stacioni ishte kthyer përgjigja se Osmani gjendet në arrati.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, fillimisht kishte revokuar dorëzaninë dhe kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Osmanit, pasi që kishte munguar në seancën e 1 korrikut 2024.

Mirëpo, Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje, me arsyetimin se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të nenit 384, par.1 të KPPRK-së, ngase shkalla e parë duke vendosur lidhur me masën e paraburgimit ndaj Osmanit, nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi dhe nuk ka respektuar procedurat e parapara për caktimin e paraburgimit në raste të tilla. Sipas Apelit, nuk janë analizuar drejt dhe në hollësi raportet shëndetësore të të akuzuarit.

Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje Themelores me arsyetimin se nuk janë analizuar dokumentacionet shëndetësore, të cilat Themelorja ka mohuar se i ka pasur në shkresat e lëndës.

Ndërsa në rivendosje, Themelorja kishte revokuar dorëzaninë ndaj Currit dhe kishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

Më pas, Gjykata e Apelit e ktheu sërish në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit kishte revokuar dorëzaninë ndaj Currit në shumën prej 50 mijë euro dhe ndaj të njëjtit kishte lëshuar urdhërarrest.

Sërish në rivendosje, Themelorja më 15 gusht 2024 ka vendosur që të akuzuarit Ismet Osmani i njohur si “Curri” t’í hiqet masa e dorëzanisë, ndërsa shuma prej 50 mijë euro e ofruar në emër të dorëzanisë, do të kalojë në fondin për kompensimin e viktimave, pasi që sipas gjykatës i njëjti është i paarritshëm për institucionet e drejtësisë.

Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021.

Pesë të akuzuarit, në seancën e mbajtur më 15 korrik 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.

Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Kosovare Kelmendi, Besnik Berisha, Naser Sopjani dhe Artan Qerkini.

Kurse, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores përmes të cilit ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni, duke klikuar në këtë link.

Osmani në një rast tjetër dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në qytetin e Graçanicës, në të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Për këtë, ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest tjetër.

Të ngjashme