Apeli rrëzon kërkesën e Berishës, e lë në “arrest shtëpiak”

Prishtinë | 28 Jan 2024 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Sali Berisha mbetet në arrest shtëpie, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar.

Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (GJKKO) të enjten ka rrëzuar ankimimin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, lidhur me ndryshimin e masës së sigurisë.

Mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, që do të thotë se ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë do të vijojë të qëndrojë në “arrest shtëpie”.

Avokati i ish-kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj, ka deklaruar se do të depozitojnë ankesë edhe në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar masën e sigurisë.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, njofton Gjykata.

Ndryshe, Sali Berisha është në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023. Kjo masë kundër tij u mor pasi nuk zbatoi masën “detyrim paraqitje”, duke refuzuar të shkojë të merret në pyetje në SPAK.

Të ngjashme