Apeli vërteton hudhjen e aktakuzës ndaj ministrit Dalibor Jevtiq

Prishtinë | 16 Tet 2017 | 14:58 | Nga

Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq si dhe Nenad Stojçenoviq dhe Mihailo Prenliçeviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në korrik të këtij viti, e kishte hudhur poshtë aktakuzën që i ngarkonte tre zyrtarët për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ndaj këtij aktvendimi, kishte ushtruar ankesë PSRK-ja, por Gjykata e Apelit, e ka refuzuar atë si të pabazuar.

Në aktvendimin e Apelit, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi, thuhet se kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur e ka hudhur poshtë akuzën në këtë çështje, sepse në veprimet e të pandehurve, nuk konsumohen elementet e veprës penale, për të cilat ata ngarkohen me akuzë.

“Nga përshkrimi i veprimeve dhe provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza, del se të pandehurit nuk i kanë ndërmarrë veprimet e tyre me qëllim që të përfitojnë dobi për vete apo peronin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkelin të drejtat e personit tjetër”, thuhet ndër të tjerash në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhej se të pandehurit nuk i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe as që është vërtetuar se me veprimet e tyre i është sjell përfitim dikujt apo i është shkaktuar dëm.

“Bazuar në faktin se automjetet ishin donacion nga UNHCR për t’i mbështetur organizatat qeveritare por edhe të gjithë akterët joqeveritar, të cilët kanë të bëjnë me promovimin dhe sforcimin e të drejtave të komuniteteve dhe bazuar në praktikat e ngjashme të kësaj ministrie, gjykata konsideron se nuk është vërtetuar dashja tek të pandehurit, si persona zyrtarë për ta kryer veprën penale, por qëllimi ka qenë që t’i ndihmohet një institucioni, i cili shërben në interes të përgjithshëm të komuniteteve”, thuhej në aktvendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Dalibor Jevtiq, në cilësinë e ministrit të MKK-së, Nenad Stojqetoviq në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MKK dhe Mihajlo Pelinqeviq, si drejtor i Departamentit të Administratës dhe Financave në këtë ministri, më 11 shkurt 2014, akuzoheshin se së bashku si persona zyrtarë i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre. Këtë pretendohet se e kanë bërë me qëllim që të përfitojnë për vete apo personin tjetër, dhe njëkohësisht t’i shkaktojnë dëm MKK-së.

Në aktakuzë thuhej se me 11 shkurt 2014, i pandehuri Dalibor Jevtiç, në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerrë vendim, me të cilin veturën që ishte pronë e MKK-së ia ka dhënë për shfrytëzim të përhershëm kompanisë private “Radio KIM- TV Centar”, me seli në Çagllavicë.

Ndërsa, Nenad Stojçetoviq, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë të kësaj ministre, duke e ditur që një vendim i tillë është i kundërligjshëm e ka urdhëruar zyrën ligjore të ministrisë që të përpilojë kontratë.

Kurse, Mihajlo Pelinçeviq, si person përgjegjës në Departamentin e Administratës dhe Financave në MKK, e ka nënshkruar kontratën për dhënien e veturës për shfrytëzim të përhershëm, mes MKK-së dhe “Radio KIM TV Centar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme