Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të nxjerrë nga gjykata e shkallës së parë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, i cili akuzohej për keqpërdorim detyre.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Ramë Dreshaj.
Kështu, Apeli ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila kishte kërkuar dënimin e Krasniqit ose kthimin e rastit në rigjykim.
Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi.
Nga akuza për të njëjtën vepër, ishin liruar edhe zyrtarët e komunës në fjalë Xhavit Krasniqi, Haki Raqi, Nazmi Gashi, Ramadan Hashanin, Bajram Palojin, Azem Spancën dhe Altin Preniqin kurse Hasnije Dushi ishte liruar nga akuza për mashtrim në detyrë.
Ndërkaq, ndaj të akuzuarve për mashtrim, Emir Sopjanit dhe Sami Kadriut, gjykata kishte shpallur aktgjykim dënues, duke iu shqiptuar dënimin me nga 1 vit e 6 muaj burgim me kusht kurse Bujar Alidema dhe Shpend Kelmendi ishin dënuar me nga 2 vite burgim me kusht dhe 4,000 euro gjobë si dhe Basri Kqiku ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 3,000 euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.
Veprat penale për të cilat akuzohej, Mehmet Krasniqi dhe 12 personat tjerë, pretendohet se janë kryer gjatë periudhës kohore 2012-2013, përkatësisht gjatë realizimit të projektit për asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Obiliqit, në të cilën kohë kryetar ishte pikërisht Krasniqi.
Konkretisht, Mehmet Krasniqi, Xhavit Krasniqi, Haki Raqi dhe Nazmi Gashi, Ramadan Hashanin, Bajram Palojin, Azem Spancën dhe Altin Preniqin akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.
Ndërsa, për veprën penale të mashtrimit, Prokuroria i akuzonte Emri Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin, dhe për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.
Ndaj Basri Kqikut, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit gjykata me kërkesë të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Jakupi kishte veçuar procedurën penale, pasi i njëjti në shqyrtimin fillestar të këtij procesi gjyqësor e kishte pranuar fajësinë.