Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, në rastin e tri mjekeve të Spitalit të Gjilanit, Mexhide Shaqiri, Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kasumi, të cilat ishin akuzuar pas vdekjes së dyshimtë të pacientes Arbenita Spahiu.
Gjykata Themelore në Gjilan, më 31 maj 2017, tri mjeket i kishte liruar nga akuzat për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “mosdhënia e ndihmës mjekësore”.“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan, PKR.nr.114/17 datë 31.05.2017, vërtetohet”, thuhet në njoftimin për media të kësaj gjykate.
Në aktgjykimin e Apelit, ndër të tjera, thuhet se vendim i gjykatës së shkallës se parë, është i qartë dhe konkret, në të janë dhënë arsye për faktet vendimtare, janë arsyetuar provat dhe drejtë është vepruar kur është konsideruar se në veprimet e të akuzuarave nuk qëndrojnë elementet e veprave penale për të cilat ato ishin ngarkuar.
Gjykata Themelore në Gjilan, me aktgjykimin PKR.nr.114/17 datë 31.05.2017, të akuzuarat Maxhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri, i kishe liruar nga akuza konform nenit 364 par.1 pika.1.3 dhe nenit 454 par.1 e 463 par.3 të KPRK-së, për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260 par.4 e lidhur me par.1 të KPRK-së, dhe të akuzuarën Vjollca Kosumi gjithashtu e ka liruar nga akuza për veprën penale “mosdhënia e ndihmës mjekësore” nga neni 261 par.1 e lidhur me par.3 të KPRK-së.
Pretendimet e prokurorisë janë se Arbenita Spahiu, e cila kishte lindur për herë të parë fëmijën e saj në Spitalin Regjional në Gjilan më 3 mars 2016, kishte ndërruar jetë si pasojë e një gjakderdhjeje, që nuk ishte lokalizuar si rezultat i neglizhencës mjekësore.
Sipas aktakuzës, Mexhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri, akuzoheshin se në cilësinë e personave zyrtarë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, Arbenita Spahiu, gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes, nga pakujdesia kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit, duke i caktuar marrjen e barnave, të cilat nuk kanë qenë mjete adeakuate për të.
Kurse, Vjollca Kosumi akuzohej se më 2 mars 2016, si mjeke kujdestare, ka refuzuar duke mos i ofruar ndihmën mjekësore pacientes, tani të ndjerës Arbenita Spahiu.