Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Timo Soini, ka mbajtur fjalën hyrëse me rastin e hapjes së projektit të binjakëzimit të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga Finlanda, në forcimin e shërbimit korrektues dhe sprovues në Kosovë.
Ai tha se objektivi i projektit është të mbështesë Kosovën në përmirësimin e standardeve të sektorit gjyqësor, duke forcuar më tej kuadrin institucional të sistemit të burgjeve, raporton Ekonomia Online.
“Kemi kënaqësinë që të punojmë në këtë projekt të binjakëzimit, ky projekt do të mbuloj sferën e shërbimit korrektues e sprovues e që besoj që do të ndikoj në fuqizimin e ligjit. Qeveria e Finlandës është e interesuar që të kontribuoj në Kosovë”, ka thënë ai.
Soini ka ardhur për vizitë dyditëshe në Kosovë. Gjatë vizitës në Kosovë, ai do ta takojë Presidentin Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin dhe personalitete të tjera.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se ky projekt ka vlerë prej 2 milionë euro.
Apostolova më tej ka shtuar se burgjet në Kosovë janë të mbipopulluar, përballen me radikalizëm e dhunë, raporton EO.
“Projekti financohet nga BE dhe miratohet nga Finlanda dhe Kosova. Ky projekt parqet përkushtimin e përbashkët dhe do të ngitet ndërgjegjësimi. Dua ta përmendi ndërtimin e burgut të sigurisë së lart që ka kushtuar rreth 3 milionë euro. Burgjet përballen me radikalizëm, mbi popullim e me dhunë. Integrimet sociale të shkelësve të ligjeve janë të domosdoshme. Një tjetër aspekt është numri i të burgosurve të radikalizuar janë të ballafaquar me rrezikun që ky rrezik duhet të evitohet kur ata të largohen nga burgu”, ka thënë Apostolova.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se në mandati e tij në shërbimin korrektues dhe atë sprovues nuk do të lejojë që të ketë keqpërdorime.
“Ministria e Drejtësisë është njëra nga faktorët më të rëndësishëm për integrimet tona në Bashkim Evropian dhe në NATO. Fuqizimi i sundimit të ligjit është objektiv themelore. Menaxhimi i qendrave korrektuese ka prioritetin tim. Shërbimi korrektues dhe ai sprovues nuk do të ketë keqpërdorime të paktën jo në mandatin tim sepse keqpërdorimet nuk do të kenë favorizime. Konsideroj se projekti që po lansohet sot është një përputhje të plotë me objektivat e mia”, tha ai.