Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë kritik për marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor, por edhe për Kosovën.
Aspotolova bashkë me ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, derisa kanë paraqitur prioritetet e Presidencës së Austrisë të Këshillit të Bashkimit Evropian, shtoi se në Kosova duhet të bëjë më shumë në zbatimin e reformave evropiane deri në vjeshtë, raporton Ekonomia Online.
“Këshilli fuqimisht ka përsëritur angazhimin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kosova mund të përfitoj jashtëzakonisht shumë nga avancimet rajonale”.
“Progresi rajonal gjithashtu thekson nevojën për punë të përkushtuar për të adresuar reformat e nevojshme këtu në Kosovë”.
“Besojmë se me momentum të mjaftueshëm politik dhe fokus, Kosova mund të bëjë hapa të rëndësishëm të reformave deri në vjeshtë”, tha ajo.
Ajo nuk la pa përmendur edhe dialogun Kosovë- Serbi, duke shtuar se dialogu i filluar në vitin 2012 duhet të përfundojë me marrëveshje të detyrueshme e ligjore për të dyja vendet.
“Kjo thekson vlerën dhe normalizimin e marrëdhënieve, dhe ne shpresojmë se kjo do të përkthehet në gjetjen e një zgjidhjeje të detyrueshme ligjore e të qëndrueshme me Beogradin”.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler, tha se është koha e duhur që të merren hapa konkret në Ballkanin Perëndimor, duke siguruar mbështetjen e plotë të shtetit që përfaqëson.
“Është koha të merren hapa konkret në Ballkanin Perëndimor. Prioritetet tona janë të fokusuara në emigrimin, është një nga pikat kyçe”.
“Në përgjithësi dua të them se Austria është e gatshme të ndihmojë dhe të negocioj në këtë pikë dhe gjithashtu edhe në pikat tjera”.
“Pika e dytë është ekonomia dhe ne duam të kontribuojmë në zhvillimin e inovacionit dhe digjitalizimit të ekonomisë. Prioriteti i tretë është që duam të sjellim regjionin më afër Bashkimit Evropian”.
Ai tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është shans për të hapur dyert për BE për të dyja vendet, raporton EO.