Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar nga partitë politikë që të përmbahen nga gjuha denigruese dhe të refuzojnë të gjitha format e presionit që mund të dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas një komunikate për medie të lëshuar nga zyra e saj thuhet se Apostolova pret që zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit të jenë të qeta dhe transpartenet.
“Që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, jam takuar me një sërë palësh të interesit. Të gjithë kanë shprehur pritshmërinë për zgjedhje të qeta dhe transparente të 11 qershorit, në një ambient të barabartë, si parakusht i domosdoshëm që Kosova të ecë përpara në zhvillimin e saj demokratik. Raportet e kohëve të fundit që përmendin kërcënimet janë në kundërshtim me këto pritshmëri. Prandaj shfrytëzoj këtë mundësi për t’u bërë thirrje të gjithë individëve përgjegjës, kandidatëve dhe drejtuesve të ardhshëm të subjekteve politike që të përmbahen nga gjuha denigruese dhe të refuzojnë të gjitha format e presionit që mund të dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor. Kjo është jetike dhe njerëzit e Kosovës duhet të ndjehen të sigurt se janë të lirë nga çdo presion në mënyrë që të bëjnë zgjedhje të pavarur dhe të lirë”, ka thënë Apostolova.