Me rastin e “Ditës së Evropës”, ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka organizuar tryezën me temën “Potenciali i rinisë së Kosovës drejt BE-së”, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se Kosova është shteti më evropian duke kujtuar të rinjtë e diskriminuar para viteve të 90 në krahasim me sot, që sipas saj të rinjtë kanë perspektivë më të madhe.
“Rinia përbën pjesën më vitale të një shteti dhe shtetet duhet të bëjnë të pamundurën për të krijuar kushte sa më të mira për rininë sepse ajo e mban gjallë produktivitetin e shoqërisë. Nëse kthehemi prapa e dimë se rinia ishte më e diskriminuara derisa rinia evropiane lulëzonte, rinia e Kosovës para 1999 kishte zero perspektivë. Sot të rinjtë tanë kanë më tepër mundësi e perspektivë se që kishin dje. Ende nuk kanë aq sa duhet. Anëtarësimet e Kosovës në mekanizma sportiv kane hapur shtigje për rininë e Kosovës. Fakti që vetëm Kosova shënon Ditën e Evropës dëshmon se Kosova përbën vendin më pro evropian në Evropë dhe shpresojmë që edhe BE-ja të marrë hapin e radhës”, tha Hoxha.
Shefja e zyrës se BE-së, Nataliya Apostolova, përmendi disa nga mënyrat se si mund të mbështetet rinia, ndër to arsimi dhe kultura.
“Do të donim ta shihnim rininë e Kosovës që të fuqizohet të jetë konkurrente me shtetet në Evropë sepse dhe ju jeni pjesë e BE-së. BE-ja e ka kuptuar rolin jetik të rinisë dhe ne përpiqemi ta forcojmë këtë rol. E bëjmë këtë duke u mbështetur shumë nga projektet tuaja. Arsimi po bëhet gjithnjë e më shumë prioritet për BE-në. Me vite të tëra i kemi ndihmuar Kosovës kryesisht në infrastrukturë. Kontributi i kulturës në zhvillimin ekonomik dhe në bruto produktin është pjesë e rëndësishme. Për vite u kemi ofruar mbështetje programeve kulturore. Kemi mbështetur edhe festivale të ndryshme për ta theksuar rëndësinë e kulturës”, tha Apostolova.
Ajo theksoi si problem kryesor papunësinë ndërsa shtoi se autoritetet kosovare duhet të ricaktojnë prioritetet e veta dhe të investojnë për rininë.
“Kosova ende përballet me sfida, më e madhja është papunësia kronike. Anketa tregon se shkalla e papunësisë se të rinjve është mbi 15 për qind dhe kjo është shqetësuese. Ne vazhdojmë të këmbëngulim për të ricaktuar prioritetet e autoriteteve të Kosovës që të investojnë në rini, për punësim”, tha ajo.
Behije Murtezi, balerinë në Baletin Kombëtar të Kosovës tregoi për përvojën e saj si balerinë në Kosovë.
“Na mungon pak promovimi. Baleti ekziston prej 1972 atëherë është formu trupa e baletit. Në vitet e 90-ta është ndërpre në masa të rrepta dhe e kanë largu nga teatri dhe është dashtë me pauzu dhjetë vite. Prej 2001 deri tash nuk ka qenë e lehtë. Është dashtë shumë punë dhe nuk kemi pasë shumë njohuri për baletin, por as kushtet nuk i kemi pasë. Kemi mbërri që trupa e baletit të ketë shumë suksese edhe jashtë Kosovës. Nga sukseset më të mëdha është në vitin 2014 në Itali ku kemi marrë pjesë në një festival të madh. Mendoj që në të ardhmen do ketë bashkëpunime më të mëdha dhe më të shpeshta”, tha ajo, raporton EO.
Edhe Hana Qerimi, drejtoreshë e Shkollës Digjitale tregoi për përvojën e saj dhe si arriti të hapte një shkollë digjitale e pastaj të përhapej në 9 lokacione nëpër Kosovë.