Apostolova thotë se Kosova ka shumë studentë, Bytyqi bën thirrje për orientim në karrierë

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 11:15 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se Kosova ka numër shumë të madh të studentëve, kjo sipas saj është e mirë, por që tregu i punës në vend nuk mund të përballojë ata, raporton Ekonomia Online.

Kjo duke iu përgjigjur pyetjes së një nxënëse të Gjimnazit “Sami Frashëri”, kur Apostolova bashkë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, kanë bërë hapjen e serisë së Ditëve të Mësimit për BE-në.

Ajo tha se është mundësi për nxënësit e shkollave të Kosovës që të takojnë diplomatë të BE-së dhe përfaqësues nga institucionet e BE-së, si dhe që të mësojnë për BE-në dhe mundësitë dhe sfidat e procesit të integrimit evropian.

Sipas saj, edukimi është kusht për integrim, ngase i përgatit të rinjtë të përballen me vendet e zhvilluar.  Ajo shtoi se edhe sundimi i ligjit është i rëndësishëm, por edukimi duhet të jetë prioritet.

“Ju jeni e ardhmja e Kosovës. Jemi duke investuar në infrastrukturë e shkollave për tu dhënë mundësi të mira, pastaj edhe trajnimin e mësimdhënësve”.

“Nuk është e lehtë që BE të ketë 28 vende, por kemi edhe 6 vende të Ballkanit që duhet të jenë pjesë e BE”.

Apostolova tha se liberalizimi i vizave do tu mundësojë nxënësve që të lëvizin lirshëm në vendet e BE, për të shkëmbyer përvojat e për të studiuar atje. Ajo më pas ka njoftuar nxënësit për institucionet e Bashkimit Evropian.

“Të gjitha ligjet që ekzistojnë në Bashkimin Evropian duhet të jenë pjesë e legjislacionit tuaj. Çdo standard dhe të gjitha obligimet duhet të bëhen të obligueshme për Kosovën dhe ky do të jetë proces i gjatë dhe mjaft i vështirë”.

“Qeveria dhe lidershipi duhet të bëjnë shumë kompromise me interesat e tyre kombëtare. Nuk do të proces i lehtë por do të keni përfitime të jashtëzakonshme. Ju do të përfitoni nga tregu i përbashkët, të rinjtë do të keni viza që të udhëtoni ku të dëshironi, ku mund t’i bëni studimet tuaja në kryeqytetet evropiane”.

Ministri Bytyqi tha se në Kosovë ka shumë profesione që mungojnë ekspertët, prandaj sipas tij, është e rëndësishme përzgjedhja e profesionit që të sigurohet një e ardhme.

Ai shtoi se në shkencat ekzakte ka mungesë të kuadrove, duke shtuar se bizneset e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë.

Bytyqi tha se kjo është e përgjegjësi e institucioneve, në mënyrë që profesione që mungojnë në Kosovë të stimulohen nga shteti.

“Është ditë e madhe sot. Te rinjtë janë pasuri dhe kemi obligim ndaj tyre. Si ministri e kemi obligim t’u krijojmë kushte më të mira të rinjve në shkolla, që të kemi infrastrukturë më të mirë. Përpjekja më e madhe duhet të jetë ne ngritjen e diturisë, nxënësit duhet të fitojnë dijen në nivelin më të lartë.  Si vend s’jemi vetëm fizikisht e pjesë e BE-s pjesë. Ajo qe na mbetet pjesë ht pjesë  që të angazoshemi që të rinjtë tanë të jenë të barabartë me evropën”.

Bytyqi ta se do të propozojnë që shteti të stimulojë nxënësit për drejtimet të cilat janë në mungesë, përmes bursave apo formave tjera.

“Sot në Kosovë kemi shumë profesione që na mungojnë, orientimi në karrierë nuk është i qëlluar. Jeni në fazën që duhet të zgjedhni orientimin tuaj, duhet të zgjedhni orientimin që ju siguron të ardhmen. Sikur të rinjtë të orientohen në drejtimet qe kemi nevojë nuk do të kishim numër të madh të papunësuarve. Do të propozjmë që profesionet që kemi mungesë, shteti t’i stimulojë, qoftë me bursa apo me pagesa. Andaj ju duhet të keni orientim të qartë të karrierës tuaj profesionale”.

“Mësimdhënësit nuk duhet ta konsiderojnë veten të punësuar, e kanë profesion të shenjtë, por t’u ofrojmë nxënësve mësimënxënie cilësore”.

Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Zejnullahu, tha se vizita e sotme e motivon shkollën që të arrijnë rezultate më të mira.

“Na japim motiv që të arrijmë rezultate edhe me të mëdha në arsim”.

Për një muaj me radhë, Ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së do të mbajnë “orë mësimi” në shkolla të ndryshme në gjithë Kosovën.

Prezantimet nga Ambasadorët do të përfshijnë përvoja nga vendet e tyre përkatëse, për sa i përket procesit të integrimit evropian, derisa edhe shpjegojnë para nxënësve se çfarë do të thotë perspektiva evropiane për Kosovën.

Ambasadorët e BE-së do të përqendrohen posaçërisht tek rëndësia e shkollimit të mirë për zhvillimin personal, por edhe për zhvillimin socio-ekonomik të vendeve përkatëse, si dhe se çfarë do të thotë përparim i Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Projekti është mbajtur çdo vit që prej vitit 2009.

 

Të ngjashme