Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka bërë të ditur se gjatë takimit të nëntë të këshillit ndër-ministror për ujëra, janë aprovuar disa projekte për industrinë e ujit dhe sigurinë nacionale me furnizim me ujë.
Gjatë këtij takimi, sipas ministrit Lluka, është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që Ujësjellësi Bifurkacioni në Ferizaj të shndërrohet në ndërmarrje qendrore.
Postimi i plotë i ministrit Lluka:
“Gjatë takimit të nëntë të këshillit ndër-ministror për ujëra, aprovuam disa projekte madhore për industrinë e ujit dhe sigurinë nacionale me furnizim me ujë.
Ndër nismat kryesore të aprovuara është fillimi i procedurave për zhvillimin e disa akumuluesve ujor në vende të ndryshme të Kosovës si dhe shpallja si zona me interes shtetëror të akumuluesve siç janë Ujamni, Batllava, Badovci, Radoniqi dhe Përlepnica.
Gjithashtu, u aprovua kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që Ujësjellësi Bifurkacioni në Ferizaj të shëndrohet nga ndërmarrja publike lokale, në atë qëndrore, gjë që mundëson ujë më të sigurtë dhe shërbime më të mira për qytetarët e rajonit të Ferizajit.
Sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar para 2 muaje, Kosova qëndron keq me rezerva ujore për kokë banori, që ka momentalisht rreth 290 m3, në krahasim me rajonin që kanë rreth 700 m3. Nga ana tjetër, për një shtet që konsiderohet që ka disponueshmëri të mjaftueshme të ujit, rezervat ujore për kokë banori duhet të jenë mbi 1700 m3. Pra jemi largë plotësimit të nevojave të sigurisë nacionale me furnizim me ujë, dhe si rezultat, konsolidimi i ujërave dhe investimi në rezerva të reja është jetik për vendin”, shkruan Lluka në “Facebook”.