Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, ka reaguar në lidhje me një fushatë linçuese që po bëhet në rrjete nga aktivistë e përkrahës të Vetëvendosjes lundër Lidhjes Demokratike e liderit të saj Isa Mustafa.
Ai ka publikuar disa komente të militantëve të VV-së, që kanë sulmuar dhe nxitur urrejtje ndaj Isa Mustafës, pas inicimit të mocionit për shkarkimin e Qeverisë Kurti.
POSTIMI I PLOTË:
Ushtria e kujt?
Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme lidhur me virusin COVID 19, është e natyrshme që qytetarët të kërkojnë unitet politik dhe më shumë tolerancë ndërmjet partive politike.
Mënyra më e mirë për të kërkuar unitet është duke treguar tolerancë me shembullin personal, nëpërmes ofrimit të opsioneve, ashtu siç ka bërë LDK-ja dhe kryetari Mustafa, duke ofruar vazhdimisht mundësi bashkëpunimi me VV-në. Por, nuk mund të kërkohet unitet e tolerancë, nga ata që bëjnë kërcënime, linçime, shpallje tradhtarësh, sulme fizike ndaj gazetarëve, dhe fushata denigruese në rrjetet sociale ndaj personaliteteve politike dhe shtetërore.
Sot ishim dëshmitarë të një organizimi e orkestrimi të një ushtrie “virtuale” kundër LDK-së dhe Kryetarit Mustafa, me një orientim të dalluar; në secilën deklaratë, koment e postim është vërejtur gjuhë e urrejtjes, ‘urime për vdekje’, thirrje për linçime etj, që tregon, se partnerët tanë politikë, nuk e kanë për qëllim unitetin, por në fakt vetëm keqpërdorimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri Kurti, bën mirë të na tregoj nëse është pjesë e këtij organizimi? Nëse jo, pse nuk ndërmerr masa ndaj atyre që keqpërdorin emrin e tij?
Shumë të tjerë para VV-së kanë provuar ta nënshtrojnë LDK-në, por historia ka treguar se ne jemi rreshtuar në anën e drejtë dhe kemi qëndruar të pathyeshëm.
Partneritetin dhe miqësinë me Amerikën dhe BE-në, LDK-ja nuk e zëvendëson me projekte të izolimit dhe kapitullimit të shtetit.
Përpjekja e Kurtit për t’u fshehur prapa gjendjes së pandemisë është e kotë, ai shkaktoi krizën në koalicion për t’i ikur përgjegjësive shtetërore dhe në përpjekje për të fshehur raportet e tendosura të me aleatët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.