Arben Gashi nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda partisë, duke e cilësuar kërkesën për mbledhjen e Kuvendit të LDK-së dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit si një ushtrim të demokracisë së brendshme dhe të përgjegjësisë politike.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka theksuar se LDK-ja është më shumë se një parti politike, duke e përshkruar atë si një ideal, histori dhe përgjegjësi ndaj Kosovës.
“LDK-ja është një ideal, një histori dhe një përgjegjësi ndaj Kosovës. Kërkesa për mbledhjen e Kuvendit të LDK-së dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit është ushtrim i demokracisë së brendshme dhe i përgjegjësisë politike”, ka shkruar Gashi.
Ai ka vlerësuar se rezultatet e tri proceseve të fundit zgjedhore japin një mesazh të qartë për nevojën e reflektimit brenda partisë.
“Pas tri proceseve zgjedhore, mesazhi i elektoratit është i qartë: LDK-ja ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe vizion për rikthimin e saj si forcë udhëheqëse në Kosovë”, është shprehur ai.
Sipas Gashit, kërkesa për ndryshime nuk duhet të shihet si një përballje me individë, por si përpjekje për ngritjen e standardeve politike dhe forcimin e partisë.
“Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë. Kuvendi është vendi ku vendos demokracia. Aty duhet të përcaktohet drejtimi i LDK-së, me guxim, përgjegjësi dhe vizion. Për një LDK që bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri”, ka përfunduar Gashi.