Arbëria e Dobrajës është e vendosur për ta ndalë hovin e skuadrës së Ballkanit këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll.
Arbëria, që për herë të parë po luan në elitën e futbollit kosovar, beson se mund të marrë një rezultat pozitiv kundër liderit të Superligës. Ndeshja ndërmjet Arbërisë dhe Ballkanit e hap xhiron e gjashtë të Superligës, që u rikthehet garave pas një pushimi prej dyjavësh shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve, transmeton KOHA.
Kjo përballje zhvillohet të premten prej orës 14:00 në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit, ku Arbëria i luan ndeshjet si vendase. Skuadra nga Dobraja në këtë takim futet pas humbjes që e pësoi në xhiron e pestë si mysafire e Gjilanit (3:1).
Njëherësh, kjo ishte disfata e parë për Arbërinë që në katër ndeshjet e para të këtij edicioni kishte regjistruar dy fitore dhe po aq barazime. Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, të enjten ka thënë për KOHËN se ekipi i tij synon që menjëherë t’u kthehet rezultateve pozitive duke u nisur nga dueli kundër Ballkanit, të cilin e vlerëson si shumë të vështirë.
Arbëria aktualisht zë vendin e tretë në tabelë me tetë pikë të tubuara, pesë më pak se Ballkani që prin dhe ende nuk di për humbje. Ka katër fitore dhe një barazim deri më tash.
“Kemi përballë një kundërshtar të fortë dhe e kemi parasysh se na pret një ndeshje e vështirë. Luajmë kundër liderit që ka një super ekip, gjë që e dëshmojnë edhe rezultatet që i ka arritur këtë edicion”, është shprehur Morina. “Me Ballkanin do të mundohemi të tregojmë futboll të pëlqyer dhe gjithashtu synimi është që të marrim rezultat pozitiv. Jemi përgatitur mirë dhe të gatshëm”.
Në anën tjetër, te Ballkani insistojnë se synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive dhe ndaj Arbërisë do të dalin në fushë për ta dëshmuar forcën e liderit.