Arbnora Salihu zgjidhet kryetare e RDK-së, Memli Krasniqi: Zëri i të rinjve ka adresë PDK-në

Prishtinë | 29 Jan 2023 | 20:34 | Nga Ekonomia Online

Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot Konventën e 7-të Zgjedhore, ku me shumicë votash kryetare është zgjedhur Arbnora Salihu.

Arbnora, 24 vjeç, ka diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa vijon studimet Master në drejtimin “Politika Publike dhe Menaxhimi”. Në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2021, ka fituar një vend në Kuvendin Komunal pa kuotë gjinore si asamblistja e re më e votuar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh se me këto zgjedhje, PDK-ja po nis një mandat të ri, por edhe një cikël të ri politik, që po shpërndahet në tërë Kosovën.

“PDK-ja dhe të rinjtë e saj, jo vetëm që po nisin një mandat të ri, por edhe një cikël të ri politik. Ky cikël i ri politik që nisë me këto zgjedhje të rinisë, është para së gjithash një fillim politik për zërin tuaj. Prandaj, ky është momenti i juaj. Kjo është e tashmja dhe e ardhmja e juaj. Dhe, Partia Demokratike e Kosovës është familja politike e juaj. Dy ditë më parë ne shënuam 23 vjetorin e themelimit të RDK-së. Duke qenë edhe vet në fillet e angazhimit tim politik, një aktivist i ri dhe më pas edhe Kryetar i RDK-së, sot i falënderoj të gjitha gjeneratat e kaluara që kanë qenë aktivistë e zyrtarë të RDK-së, e që me punën e tyre kanë qenë shtylla të çdo suksesi të PDK-së”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, e veçanta e këtyre zgjedhjeve është zhvillimi i një procesi krejtësisht digjital të regjistrimit e të garimit, ku për herë të parë, një numër rekord i vajzave kanë garuar për pozita udhëheqëse.

“Ne kemi zhvilluar një proces krejtësisht digjital të regjistrimit e të garimit, duke sjellë inovacionin që ju e kërkoni edhe në organizatën tonë rinore. Për herë të parë, një numër rekord i vajzave kanë garuar për pozita udhëheqëse dhe tani 40 për qind e të gjithë kryetareve të degëve janë pikërisht vajza. Ky është një shembull fantastik i përqafimit organik të platformës sonë Bashkë 50/50 për barazi të plotë gjinore në përfaqësim dhe në vendimmarrje dhe jam shumë i lumtur që këtë shembull para së gjithash po e dëshmojmë me rininë tonë të mrekullueshme”, theksoi Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se ky proces zgjedhor i zhvilluar nën slloganin TI Ki Za është një thirrje për angazhim, në një periudhë të migrimit masiv të të rinjve si pasojë e një qeverisjeje depresive.

“Kjo është edhe esenca e thirrjes TI Ki Za që vërtetë të angazhoheni dhe ta shihni angazhimin tuaj politik si aktivitet komunitar, si një aktivitet për veten tuaj, për familjen, për shoqërinë tuaj, për rrethin tuaj, për lagjet e juaja, për qytetin tuaj, për shtetin gjithsesi. Por, para së gjithash për pasionet që i keni, për pasionet që juve ju inspirojnë dhe ju frymëzojnë. Sepse TI Ki Za realisht flet për juve individualisht. Dhe unë e di që ndonjëherë një i ri apo e re në Kosovë nuk e ka lehtë që ta ndiej veten të dëgjohet. Por vërtetë dhe e them me bindje se secili prej jush ka zërin e brendshëm që është ndikues dhe në mënyrë të veçantë kur këta zëra bëhen bashkë, përbashkohen siç jeni përbashkuar këtu sot, pa dyshim që jo vetëm që do të kumbojë si zë i fuqishëm, por do të jetë zëri që do t’i japë drejtim pozitiv gjithçkaje për të cilën ju dëshironi, ëndërroni dhe për të cilën ka nevojë vendi ynë. Sepse, përballë një qeverisje depresive, ne kemi mision që ta thejmë depresionin e ta mbjellim shpresën dhe të ardhmen që i duhet këtij vendi. Prandaj, të rinjtë e PDK-së, kanë përgjegjësi. Por ku ka përgjegjësi, ka edhe mundësi. Rrugën që e filloni sot përmes Rinisë Demokratike të Kosovës, është rrugë e mundësive”, theksoi Krasniqi.

Kryetari Krasniqi tha se Partinë Demokratike të Kosovës e definon guximi për të ëndërruar.

“Asgjë e rëndësishme në historinë e re të vendit tonë nuk ka ndodhur, pa ndikimin dhe vulën e PDK-së. Por, nëse kam menduar gjatë se si do ta definoja atë që na definon, atë që na dallon neve sot këtu juve si gjeneratë e re, aktivistët e PDK-së, për çdo gjeneratë duke filluar nga themeluesit e PDK-së, ajo është guximi për të ëndërruar dhe për të parë ëndrra të mëdha për Kosovën dhe për realizimin e këtyre ëndrrave. Edhe pa ekzistuar PDK, themeluesit e saj Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dy ish-kryetarë të partisë, të cilët sot fizikisht i kemi në distancë, por emocionalisht i kemi pranë gjithmonë, kanë qenë njerëz të cilët në kohën kur ka qenë shumë vështirë të ëndërrohet për lirinë e vendit tonë, kur shumë njerëz nuk kanë besuar se ajo mund të ndodhë, ata e kanë ëndërruar atë”, theksoi lideri i PDK-së.

Ai tha se rinia është forca që e ndryshon Kosovën, sepse askush më mirë se ata nuk mund ta portretizojë Kosovën që duam, dhe adresa e tyre është PDK.

“Ndryshimin që e kërkojmë te ju, e kemi nisur prej vetës sonë dhe unë ju siguroj se bashkë do ta japim shembullin e një mundësie tjetër në politikë. Një model që nuk përçan por na ofron, në të cilin nuk na definon pozita, por përkushtimi. Dhe ku politika nuk jeton mbi njerëzit, por për ta, e me ta. Kjo është beteja për të ardhmen tonë. Ky është zotimi ynë për Kosovën tonë. Prandaj zëri juaj është çelësi për ta fituar këtë betejë. Fitorja jonë, fitorja e PDK-së, fitorja e rinisë është e pashmangshme. Rruga jonë është e pa alternativë. Angazhimi ynë është i pa kompromis. Kosovën do ta kthejmë në vend ku jetohet me dinjitet, e ku zëri i të rinjve nuk do heshtet kurrë, sepse të rinjtë kanë za e zani i tyre e ka një adresë, Partinë Demokratike të Kosovës”, shtoi kryetari Krasniqi.

Kryetarja e sapozgjedhur e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu duke falënderuar delegatët për besimin, tha se do të punojnë së bashku për një të ardhme edhe më të ndritur.

“Sot më shumë se kurrë motivi im për punë është shtuar. Duke falënderuar secilin për besimin që treguat ndaj meje, ju premtoj që këtu do të keni gjithmonë Arbnorën, zërin tuaj të fuqishëm në angazhimet politike që na presin. I kemi borxh shtetit e kombit që krejt angazhimi ynë të jetë për një të ardhme edhe më të ndritur. Me RDK-në për PDK-në”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i deritashëm i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi ka falënderuar bashkaktivistët me të cilët kanë rrugëtuar, të cilët i ka quajtur katalizatorë të sukseseve.

“Ju guxoni me folë sepse ju keni za. Ju guxoni me vepru sepse motivi vlon në ju, dhe shpërthimi i potencialit tuaj ndodh vetëm përmes Partisë Demokratike të Kosovës. Ju do të jeni bashkë, ashtu siç ishim edhe ne, në çdo lagje dhe fshat të çdo qyteti, për aktivitete dhe punë të përbashkët në të mirë të gjeneratës dhe gjeneratave që vijnë. Ju jeni dhe do të mbeteni ambasadorët më të mirë të partisë, ju do të jeni adresa e rinisë dhe studentëve, të rejave dhe të rinjve të Kosovës. Ju nuk do të jeni vetëm e ardhmja, ju jeni e tashmja e padiskutueshme e vendit tonë”, tha Bislimi.

Rinia Demokratike Kosovës ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues i cili përbëhet nga 38 vajza e 38 djem që shënon edhe përmbushjen e vizionit të ri të kryetarit Memli Krasniqi për barazi të plotë gjinore 50/50.

Të ngjashme