E bija e Jusuf Gërvalles, patriotit dhe veprimtarit politik, me të cilin mburret Kosova, në vend që të shndërrohej në krenarinë e shqiptarëve të Kosovës, është duke e bërë krejt të kundërtën! Është pritur që si ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, si bijë e patriotit të vrarë nga regjimi serb, t’i jap zë të vërtetës së Kosovës dhe t’i çmontoj konstruksionet politike serbe për Kosovën, por befasishëm ajo po i jep zë pikërisht politikës serbe. Ajo është bërë vegël e politikës serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si mënyrë për ta zhbërë të drejtën e Kosovës për shtet. Inatet e saj në vend që të orientoheshin nga ata që ia kanë vrarë babain, i cili është përpjekur për lirinë e popullit të tij, i ka fokusuar në drejtim të UÇK-së. Nëse nuk është çështje naiviteti, do të ishte më shumë se skandaloze. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, me apo pa qëllim, ajo është duke e bërë argatin e dreqit. Në vend që të numëroj 13 mijë shqiptarët e vrarë nga regjimi serb, 20 mijë gratë e dhunuara, masakrat dhe dëbimin e popullatës shqiptare, ajo në çdo rast që i vjen ngulmon të gjej ku janë e ku s’janë dëshmi që e inkriminojnë UÇK-në. A je me ne a me arushën ministre? Nëse je me ne mbroje interesin tonë dhe mos u bë tellall i diplomacisë serbe që vazhdon fushatën e tyre propaganduese për ta projektuar Kosovën si krijesë mafioze, terroriste, religjioze…
Nëse je me arushën, vazhdojë kursin që e ke nisur, por mos pretendo të mbulosh të vërtetën që po shfaqet lakuriq përditë e më shumë! Nëse detyra jote është që ta zhbësh lavdinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë mos kërko lavdi për vete. Nëse je vetëm dëm kolateral në përpjekjet e koordinuara që në të njëjtën kohë të përdhoset UÇK-ja dhe të realizohet “Zajdencia”, atëherë nuk mund të pritet përgjegjësi prej teje. Përgjegjësi nuk mund të pritet as prej shefit tënd që i përgjithëson krimet në luftërat e ish-Jugosllavisë, duke i futur në të njëjtin thes regjimin e Millosheviqit që kishte masakruar shqiptarët dhe të tjerët përreth dhe ata që kishin provuar të mbroheshin.
Duke dëgjuar diskursin tuaj të rinjtë që nuk e kanë përjetuar luftën, do të rriten duke e urryer UÇK-në kriminale dhe duke ju ardhur keq për serbët dhe të tjerët që kanë vuajtur prej tyre. Ministre tregoju të rinjve se e vërteta është krejt e kundërta e kësaj. Ju thuaj që regjimi serb i ka vrarë foshnjat në djep vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Tregoju ministre se regjimi serb i ka masakruar gratë shtatzëna dhe ua ka prerë fëmijët. Folu për përpjekjet titanike të shqiptarëve për të jetuar të lirë, për sakrificat e panumërta, për burgimet, për torturat… Gjej kurajo dhe ju trego se shqiptarët janë organizuar për t’u mbrojtur si kanë mundur. Mos hezito ministre për të vërtetën, mos e moho atë, sepse t’i do të ikësh me damkën e së keqes, kurse Kosovës do t’i bësh një dëm të madh.
Dëmi është bërë tashmë, ndërsa zëri i së vërtetës ka heshtur! Për heshtjen e së vërtetës kanë përgjegjësi edhe ata që ishin para jush, të cilët duke provuar të bëhen kozmopolitë në politikë rehabilituan ish-bashkëpunëtorët e regjimit. Tash këta të fundit e kanë marrë veten duke lozur me popullatën që nuk kërkon asgjë veç kushte më të mira jete pa e vënë re theqafjen. Ata që kishin djegur Kosovën kundër “Zajednicës”, po e bëjnë gati popullin ta pranojë “Zajednicën” e zbutur në “Asociacion”, madje pa përfillur vërejtjet e Kushtetutës. Megjithatë gatishmëria për ta zhbërë Kosovën, nuk do të kalojë heshturazi! Askush nuk duhet të mashtrohet nga opozita e shthurur dhe nga heshtja e veteranëve të rrejshëm!