Ndonëse ka qenë e paraparë që incizimet e lokacioneve të dyshuara për varreza masive të ktheheshin brenda shtatorit të këtij viti nga Argjentina, ato nuk kanë ardhur ende.
Incizimet ishin bërë në gusht të këtij viti me pajisje detektimi, të cilin Qeveria e kishte siguruar nga Kombet e Bashkuara. Puna ishte kryer nga ekspertët ndërkombëtarë, shkruan sot Koha Ditore.
Plani ka qenë që nëse rezulton se ka eshtra njerëzish atëherë të nisin gërmime.
Përveç dy lokacioneve në Serbi, përkatësisht Jallovishte dhe Kizhevak, incizime ishin bërë edhe në Uglarë, Kishnicë e Bukosh në Kosovë.
Përfaqësues të palës kosovare thonë se rezultatet janë vonuar shumë teksa janë shprehur skeptikë që ato mund të kthehen brenda këtij viti. Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se kanë pritur që rezultatet të kthehen muaj më parë, por sipas tij, deri tash nuk kanë asnjë përgjigje.