Argjentinasi Pitana do të gjykojë finalen e Botërorit

Prishtinë | 13 Kor 2018 | 09:29 | Nga

Gjyqtari kryesor i finales së Botërorit Rusi 2018, midis Francës dhe Kroacisë do të jetë argjentinasi Nestor Pitana. Në këtë detyrë kaq të rëndësishme gjyqari 43-vjeçar do të ketë si ndihmësa dy bashkëpatriotët Hernan Maidana dhe Juan Belatti, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë holandezi Bjorn Kuipers.

Në këtë mënyrë Botërori Rusi 2018 do të mbyllet nga i njëjti gjyqtar që fërshelleu edhe fillimin e tij, pasi Nestor Pitana ishte arbitri kryesor i ndeshjes hapëse të këtij kampionati Rusi-Arabia Saudite, që përfundoi 5-0. Arbitri argjentinas i ka gjykyar të dy finalistët gjatë këtij Botërori. Pitana ka arbitruar ndeshjen e Kroacisë me Danimarkën në fazën e 1/8, kur ballkanasit fituan me penallti. Po kështu ai arbitroi edhe ndeshjen e fazës së 1/4 midis Francës e Uruguajit, ku “Gjelat” trimfuan 2-0.

Për supersticiozët caktimi i një gjyqtari argjentinas për finale shihet si shenje e keqe për Francën. Kjo sepse herën e fundit që francezët ishin në finale e madhe në 2006, ku humbën trofen me 11-metërsha nga Italia, arbitër ishte sërish një argjentinas, Horacio Elizondo. Një finale që hyri në histori veç rezultatit edhe për goditjen e famshme me kokë të Zidane ndaj Materacit dhe ndëshkimin me karton të kuq të yllit francez nga gjyqtari argjentinas, raporton Shqiptarja.com.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme