Arifaj: Transformimi i FSK-së në Ushtri përfundon sivjet

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 08:10 | Nga

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, thotë se ligji për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës nuk është tërhequr, po i është dhënë edhe një shans planit tjetër që kjo të bëhet me konsensus të plotë.

Në Interaktiv të KTV-së Arifaj ka thënë se Thaçi nuk kishte bërë asgjë i vetëm dhe se iniciativa e tij për transformimin e FSK-së në Ushtri ishte në koordinim të plotë me ministritë përkatëse dhe Kuvendin.

Arifaj ka thënë se presidenti nuk është tërhequr pas kërkesës së ndërkombëtarëve, por ka thënë se është pajtuar që t’i japë edhe një shans planit “B” për transformim përmes konsensusit të gjerë politik në vend. Ai ka thënë se ky shans është dhënë me afat, dhe presin që kjo të përfundojë deri në fund të vitit.

“Ka pas koordinim të plotë me ministritë me qeveritë me kuvendin. Nuk ka pas angazhim vetëm nga presidenca. Ka pas angazhim nga ministria, ka pas angazhim edhe nga vet FSK-ja. Me ndërkombëtarët është bërë edhe plani A edhe plani B. Ka përkrahje edhe nga deputetët serbë, por problemi është Serbia. Nuk është tërheqje, por po presim. Nëse dikush kërkon që t’i japim edhe një shans planit A, ia japim, por jo që kjo të bëhet shkak që të vonohet në pafundësi krijimi i Ushtrisë së Kosovës. Ky vit është i fundit”, është shprehur ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme