Shefi i Delegacionit të Kosovës në Bruksel, Avni Arifi i është kundërpërgjigjur Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Arifi ka thënë se Kosova ka marrë obligim ndërkombëtarë për krijimin e asociacionit të komunave serbe si formë e avancimit të pozitës së komunitetit serb në Kosovë.
“Në këtë qëndrim Kosova vazhdon të kërkojë zgjidhje dhe ka koncensus të mjaftueshëm në shoqërinë e Kosovës për gjetjen e një zgjidhje gjithnjë duke ruajtur kushtetutshmërinë, tërësinë territoriale dhe funksionalitetin e shtetit”.
“Kosova kurrë nuk ka marrë obligim që të krijojë asociacion që do të shërbejë si instrument i shtetit Serb për defunksionalizimin dhe kontrollimin e shtetit të Kosovës. Ideja që nëpërmjet asociacionit të depërtohet në funksionim të shtetit të Kosovës është perfide dhe nuk do të kalojë”, ka shkruar Arifi.