Edhe pse në Kosovë ekzistojnë të gjitha ligjet të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorit, ato fatkeqësisht nuk po gjejnë zbatueshmëri.
Këtë e thotë për Ekonomia Online, Haxhi Arifi, kryetari i “Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, duke shtuar se Kosova si asnjëherë më parë ka ligje që mbrojnë klasën punëtore, por që nuk po implementohen.
E këtë më së shumti sipas Arifit po e vuajnë punëtorët e sektorit privat. Ai thotë se sindikata që udhëheq e ka bërë mirë punën e saj dhe se tani përgjegjësia i mbetet institucioneve që janë të thirrura të zbatojnë ligjet në fuqi.
“Bashkimi i Sindikatave të Kosovës atë që është dashur ta bëjë për punëtorin e Kosovës e ka bërë qysh në vitin 2010. Ne i kemi nxjerr të gjitha ligjet që ka pasur nevojë punëtoria kosovare. Së pari Ligji i Punës, ai për organizimin sindikal, Ligjin për Këshillin Ekonomik-Social, Ligjin mbi Grevat, pastaj ligjet e tjera përkatëse që kanë qenë ne itinerarin e ministrisë së Punës. Por është problemi te implementimi i tyre”, tha ai.
Ai përmendi edhe marrëveshjen kolektive, për të cilën thotë se është edhe më e avancuar se vet Ligji i Punës, por që as kjo nuk implementohet.
“Ne e kemi nxjerr edhe marrëveshjen kolektive në nivel nacional e cila është më e avancuar se Ligji i Punës për shkak se marrëveshjet që bëhen në tri nivele pra që është niveli bazë, niveli federal dhe niveli nacional. Kjo marrëveshje ka avancuar çështjen e përmirësimit të kushteve të punëtorëve, njëkohësisht këtu kemi problem edhe te implementimi i kësaj marrëveshjeje sidomos tek kompanitë e mëdha në sektorin privat”, ka përfunduar ai.
BSPK-ja megjithatë ka dhënë rekomandimet e veta edhe sa i perket plotësim ndryshimit të disa ligjeve që ndërlidhen me përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por kryesindikalisti Arifi thotë se deri më tani nuk janë marrë parasysh.
“Gati qe dy vite jemi duke punuar sepse ai ligj duhet të pësojë ndryshime dhe besoj se jemi shume afër, kemi punuar mjaft edhe si BSPK edhe me partnerët tjerë dhe tani priten edhe disa rekomandime që vijnë nga Bashkimi Evropian që duhet me u përfshi edhe në këtë ligj por edhe në ligje të tjera. Janë shtatëmbëdhjetë direktiva të cilat nuk janë të gjitha për ligjin e punës, por për këtë ligj jemi duke punuar aktualisht për katër direktiva të cilat mendoj se janë të vlefshme për ligjin e punës i cili do të jetë edhe më i avancuar se ky që është tani”, thotë ai.
Ndërsa lidhur me ligjin për sigurime shëndetësore ai ka thënë se edhe pse duhet të bëhen disa ndryshime, prapë se prapë preferon që të fillohet me mbledhjen e premiumeve.
“Ju e dini që një draft ligj është paraqitur në këshillin ekonomik-social ku aty është anëtar edhe ministri i Shëndetësisë dhe ne si BSPK e kemi parë që do përmirësime dhe kemi ardhur në përfundim që ai ligj sa më shpejt duhet të implementohet dhe do të fillojë në 2018 por ne kemi kërkuar që edhe në këtë vit që diçka .Duhet të fillojë sa më parë grumbullimi i mjeteve”, ka thënë ai.
Arifi pohon se edhe pse pjesëmarrja ose ftesa për pjesëmarrje e BSPK-së në përpilimin e ligjeve është e obligueshme thotë se në të shumtën e rasteve injorohen dhe nuk ftohen fare.
“Me te thanë të drejtën këtu pak na hendikepojnë dhe është diçka jo e mirë sepse ne jemi partner dhe ne duhet të marrim pjesë, dhe pjesëmarrja jonë ka qenë vetëm gati në fazën kur është përgatitë drafti dhe vetëm na e dërgojnë dhe ne duhet me nguti t’i riformulojmë kërkesat tona ta rishikojmë atë draft. Por ne duhet të marrim pjesë në këto sepse ne jemi partner nacional. Ne i kemi adresuar kërkesat tona edhe jashtë ku jemi anëtar të sindikatave botërore. Edhe direktivat që vijnë nga Bashkimi Evropian ata i obligojnë qeverinë tonë që partneri që jemi ne si bashkim i sindikatave në çdo pore që është për t’i jetësuar këto ligje ne të jemi aty” ka thënë ai.
Arifi ka përmendur edhe raste konkrete kur janë shkelur të drejtat e punëtorëve dhe për këtë thotë se problem kryesor mbetet mosthemelimi i sindikatave në sektorin privat, të cilat parashihen edhe me Ligjin për Organizimin Sindikal.
Krejt në fund Arifi thërret organet kompetente që të veprojnë komfor ligjeve dhe të të ndëshkojnë ata që provojnë të shkelin të drejtat e punëtorëve