Arifi thotë se ShBA do detyrohet të involvohet në dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 19 Kor 2021 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritro Arifi, ka komentuar takimin e sotëm mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Ai u shpreh në Info Magazine, se takimi i sotëm mes të dyja palëve, qe vetëm vazhdim i tensioneve, përcjell klankosova.tv.

Tutje ai ka potencuar se edhe pala e tretë në këto bisedime siç është Bashkimi Evropian, ende nuk i ka kapacitetet e duhura që të imponojë tema të caktuara në aspektin tematik dhe kohor.

E lidhur me këtë çështje ai ka pohuar se do të jetë i pashmangshëm involvimi i SHB-ve në këtë mes.

”SHBA-të, deshën apo s’deshën, do të detyrohen të involvohen në dialogun Kosovë-Serbi, sepse SHBA-të janë të interesuara në dy çështje në aspektin përmbajtjesor, pra që të arrihet sa më shpejt marrëveshja për njohje reciproke, dhe që kjo të arrihet sa më shpejt, eventualisht në vitin e ardhshëm”.

Tutje, Arifi ka theksuar se në këto bisedime, Kurti nuk mund të krahasohet me presidentin Vuçiq, ngase ky i fundit i takon së kaluarës kriminale të një regjimi që ka bërë krime në ish-Jugosllavi, duke qenë po ashtu në atë kohë edhe ministër i informimit.

Një tjetër çështje e cila po e bllokon tërë këtë proces sipas profesor Arifit është edhe mosnjohja nga pesëshja e Bashkimit Evropian, dhe kjo sipas tij po e komplikon më pas gjithë raportin Kosovë-BE, por edhe Kosovë-Serbi, ngase në këtë rast Serbia po ndihet disi e relaksuar dhe e privilegjuar.

”Nëse do të vijnë njohjet nga pesëshja e Bashkimit Evropian, realisht Serbia do të mbështet për muri sepse nuk do të ketë më justifikime, meqë ajo deri më tani po mbështetet në atë se derisa BE-ja nuk e njeh Kosovën, pse unë ta njoh”.

”Bashkimi Evropian, me qëllim apo pa qëllim po prodhon politika ruse në Ballkanin Perëndimor”.

”Prandaj, nëse nuk ka një intervenim më të shpejtë të Bashkimit Evropian në këto pika, unë mendoj se dialogu vetëm do të prolongohet, e mund edhe ta destabilizoj edhe rajonin, për shkak se nyja e Ballkanit Perëndimor janë Kosova dhe Serbia. Nëse zgjidhet ky problem, i tërë Ballkani Perëndimor do të shkoj drejt rrugës së integrimit evropian”, ka shtuar Arifi.

Të ngjashme