Shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Avni Arifi ka njoftuar se si kanë shkuar bisedimet me përfaqësuesit e shtetit serb në Bruksel, duke thënë se janë pajtuar që komentet t’i bëjë zyra për informim e BE-së.
Arifi, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka sqaruar se i përket përbërjes së delegacionit të Kosovës, kanë marrë pjesë vetëm edhe tre përfaqësues politik; Ardian Arifaj, Blerand Stavileci dhe Endrit Shala, kurse, të gjithë anëtarët e tjerë të delegacionit janë ekspertë të fushave.
Të nderuar miq,
Ne, dje në Bruksel përfunduam bisedimet dy ditore me përfaqësuesit e shtetit serb të ndërmjetësuar nga BE. Se si kanë shkuar bisedimet jemi pajtuar që komentet të i bëj zyra për informim e BE-së. Për hir të korrektësisë do t’i përmbahem kësaj marrëveshje dhe kërkoj falje para të gjithë atyre gazetarëve që këto ditë ishin në kërkim të informatave që unë nuk munda të përgjigjem.
E ndjej për obligim të bëj një sqarim sa i përket përbërjes së delegacionit të Kosovës. Në këtë delegacion që unë e udhëheq kanë marrë pjesë vetëm edhe tre përfaqësues politik (Ardian Arifaj, Blerand Stavileci dhe Endrit Shala). Të gjithë anëtarët e tjerë të delegacionit janë ekspertë të fushave dhe kriteri i vetëm i pjesëmarrjes ka qenë ekspertiza për fushën, pozita funksionale brenda institucionit relevant me marrëveshjen dhe pjesëmarrja e mëparshme në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.
Me këtë rast falënderoj sekretarët e përgjithshëm të MD, MAPH dhe MPB, zyrtarin shtetëror për IBM, zyrtarët e KOST, zyrtarë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarin e ARBK-së, dhe zyrtarë të tjerë që me ekspertizën dhe dedikimin e tyre ndaj procesit bëjnë që ky proces të marrë drejtimin dhe epilogun e duhur.