Arkeologët kanë zbuluar një varr 4.000 vjeçar në vendin e gërmimit Dra Abu el-Naga në qytetin Luksor të Egjiptit, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli Nacional Hulumtues i Spanjës (CSIC) ka njoftuar se ka nxjerrë në dritë për herë të parë një lloj të varreve, për ekzistencën e të cilave paraprakisht dihej vetëm përmes përshkrimeve të ikonave.
Ekipi i kryesuar nga Prof. Dr. Jose Manuel Galan, ka theksuar se mbetjet e gjetura datojnë 2000 vite para erës sonë dhe se i përkasin periudhës së Dinastisë së Dymbëdhjetë, që ishte bashkim për herë të parë i mbretërive të Nilit të Epërm dhe të Poshtëm me qendër në Teb.
Siç thuhet, kopshti kishte sipërfaqe tre metra gjatësi dhe dy metra gjerësi dhe gjendej në hyrje të varrit i cili ishte brenda një shkëmbi të gërryer, i ndarë në pjesë prej 30 centimetrash katrorë, kurse në çdo pjesë mbilleshin pemë apo bimë që kishin kuptim simbolik, varësisht nga testamenti i personit që do të varrosej aty.
Galan ka theksuar se varret dhe varrezat në civilizimin e lashtë egjiptian ishin mjete përmes së cilëve u jepej kuptim jetës dhe vdekjes.
“Këto zbulime nuk na japin vetëm të dhëna për besimin fetar dhe praktikat, por në të njëjtën kohë na ofrojnë mundësi të zbulojmë detaje në lidhje me jetën e përditshme, mjedisin fizik dhe klimën”, është shprehur Galan.
Krahas kopshtit të varrit, në afërsi është gejtur edhe një dhomë lutjesh prej qerpiçi, e cila thuhet të jetë shtuar më vonë, konretisht në vitin 1800 para erës sonë që përkon me periudhën e Dinastisë së Trembëdhjetë.