Historia e botës moderne, që eksploron ndikimin e zhvillimit të teknologjisë duke marrë për bazë realitetin ekzistues e më pastaj edhe duke e parashikuar një të ardhme spekulative, ka bërë që seriali “Black Mirror” të jetë një prej më të popullarizuarit viteve të fundit.
Ata e kanë parë qoftë edhe një episod të kësaj serie britanike e dinë fort mirë se si paraqitet aty e ardhmja e frikshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zhvillimi i tanishëm i teknologjisë pa dyshim se ka prekur të gjitha fushat e jetës. “Pre” e kësaj është bërë edhe arkitektura. Një qasje e ngjashme me “Black Mirror”, haset edhe tek arkitekti, disenjatori fiktiv e regjisori australian Liam Young.
Ai konsiderohet si një prej udhëheqësve të lëvizjes, që ndryshe njihet edhe si arkitekturë spekulative.
Përmes punës së tij ai eksploron kufijtë e mjegullt në mes të filmit, fiksionit, dizajnit dhe rrëfimit të historive, me qëllim të krijimit të prototipave dhe imagjinon të ardhmen e qytetit. Duke përdorur atë që njihet si dizajn spekulativ, filmin dhe vizualizimin e qyteteve imagjinare, ai ngre pyetje për ekzistencën urbane, duke provokuar mbi rolin e arkitekturës.
Qasja e tij prej arkitekti është sikur e një autori të fiksionit, apo futurizmit. Young me punën e tij mëton ta vetëdijesojë publikun e gjerë mbi të tashmen dhe të ardhmen e teknologjisë.