Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Arlind Ajeti, ka marrë një lëndim në shpatull të shtunën ndërsa po luante me skuadrën e tij Grasshoppers.
Lëndimin e mori pikërisht gjatë një dueli që pati me vëllanë e tij, Albian Ajeti, sulmuesin që luan për Baselin dhe për Përfaqësuesen e Zvicrës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Arlindi e kapi shpatullën nga dhembja gjatë një dueli që pati me vëllanë, Albianin, në minutën e 26-të të ndeshjes që Grasshoppersi e humbi 3:1 në shtëpi të shtunën ndaj Baselit.
Arlindi vazhdoi të luante me dhembje në shpatull, por u zëvendësua pas pjesës së parë. Më vonë u konstatua se shpatulla i kishte dalë nga vendi.
Arlind Ajeti madje e kishte kthyer shpatullën vetë në vend dhe kishte vazhduar të luante me dhembje, por pas pjesës së parë u detyrua të zëvendësohej. Nuk është hera e parë në karrierë që Arlindi 25-vjeçar merr një lëndim të shpatullës.