Vladimir Putin ka lëshuar një deklaratë të fortë disa javë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, ku ai pritet të rizgjidhet president.
Në një konferencë për media Putin tha se çdo sulm i mundshëm bërthamor ndaj një aleati të Moskës, do të konsiderohet si sulm ndaj vetë Rusisë dhe do të marrë kundërpërgjigjen e menjëhershme të saj.
Putin, për të cilin sondazhet tregojnë se do të rizgjidhet lehtësisht më 18 mars, po mbështetet edhe një herë në retorikën e tij të ashpër, duke publikuar disa videoklipe të raketave për të cilat po fliste, të projektuara në një ekran gjigant në sallën e konferencave në Moskë.
“Ata nuk ia kanë dalë ta zmbrapsin Rusinë”, tha Putin duke iu referuar Perëndimit. “Tani ata duhet të marrin parasysh një realitet të ri dhe të kuptojnë se gjithçka që unë kam thënë sot nuk është një blof”, shtoi shefi i Kremlinit.
Ndër armët e reja që Putin tha ishin në zhvillim ose gati, janë: “Një raketë e re balistike, një raketë e vogël bërthamore që mund të lidhet me raketa të lundrimit, drone bërthamore nënujore, një armë supersonike dhe një armë me lazer”.