Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e fundit lokale, Armend Agolli ka reaguar pasi Dega e LDK-së në Mitrovicë ka vendosur për përjashtimin e tij, me arsyetimin se ka bashkëpunuar me PDK-në.
Agolli duke iu kundërpërgjigjur vendimit për përjashtim, ka deklaruar se partia ishte trefishuar në lokalet e fundit në Mitrovicë dhe thekson se këtë e kishte parë si sinjal të “shkëputjes nga mendësia e vjetër”, që sipas Agollit është përgjegjëse për rënien e LDK-së atje. Megjithatë ai thotë se kishte gabuar në analizë.
“Mirepo zhvillimet e fundit ne dege e deshmuan se e kishim gabim, dhe se ketu ka ende te atille qe mendojne vetem per veten dhe per interesat personale. Te tilleve po u them edhe njehere, shkurt-e-shqip: LDK as nuk ka qene, as nuk eshte, dhe as nuk do te jete kurre as monarki, dhe as parti private. LDK ka qene, eshte dhe do te mbetet parti e vlerave, parti institucionale, parti e parimeve dhe si e tille, nje parti qe njerezit i bashkon brenda vetes duke i respektuar interesat e tyre te perbashket shoqëror”, ka shkruar ai.
Ai u bëri thirrje atyre që nuk e shohin LDK-në si parti të vlerave insitucionaliste të lëshojnë rrugë.
“Te gjithe ata qe LDK’ne nuk e shohin dhe nuk e perjetojne si te tille, eshte koha e fundit te leshojne rruge. Ose, do te mbesin pa rruge. As “monarket” brenda Deges se LDK’se ne Mitrovice sigurisht se nuk perbejne perjashtim ne kete drejtim”, ka shkruar më tutje ai.
Në ndërkohë, kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike në Mitrovicë e ka përjashtuar nga grupi i asamblistëve dhe nga funksionet e tjera brenda partisë, kandidatin për kryetar të kësaj komune, Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imerin.
Në arsyetimin e kësaj partie thuhet se Agolli dhe Morina janë përjashtuar pasi pas përfundimit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me interesat e partisë.
“Kryesia e degës së Lidhjes Demokratike të Kosoves në Mitrovicë në mbledhjen e mbajtur sot, me votë unanime, ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe funksionet tjera të partisë , Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imeri. Të lartpërmendurit që nga mbarimi i procesit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me të gjitha qëndrimet e partisë, duke bashkëpunuar me partitë tjera në kundërshtim me interesat e LDK-së, duke mbi votuar vendimet e LDK-së me votat e PDK-së”, thuhet në njoftim.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi.
“Po, e gjitha është thënë në njoftimin që është lëshuar në faqen LDK-Mitrovicë”.
Agolli në zgjedhjet e 17 tetorit ka garuar nga radhët e LDK-së për kryetar të komunës së Mitrovicës.
Për nga votat ai doli i treti, pas Bedi Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Agim Bahtirit të Lëvizjes Vetëvendosje.