Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja më 22 dhjetor në profilin e tij në ‘facebook’ kishte publikua një numër emrash të serbëve që drejtojnë grupet kriminale në veri të Republikës së Kosovës. Në shkrimin e tij Muja kishte përfshirë edhe vëllain e Aleksander Vuçiqit, Andrija Vucic si pjesë e “Severna Brigadës” bashkë me Milan Radojicic, Zvonko Veselnivocq e Radule Steviq.
Përveç këtyre emrave, Muja kishte përmendur edhe për persona të ekstremit të djathtë që janë të lidhur me Rusinë, Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Shkencave të Serbisë. Një ndër ta është edhe djali i Aleksander Vuçiqit, Danilo Vuçiq.
Muja kishte rekomanduar arrestimin e emrave të cilët i kishte publikuar në profilin e tij, derisa kishte sqaruar në fillim të shkrimit të tij se Kosova nuk ka një listë për arrestim.
“Kjo është lista që unë do e rekomandoja për arrestim për një Mitrovicë pa krim, banda dhe barrikada”, ka shkruar Muja.
Raportimet në media për shkrimin e Mujës kanë nxitur reagime të mëdha në Serbi. Pa reaguar s’ka qëndruar as kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, duke thënë se “kjo është lista e serbëve që duhet të arrestohen e që ekzistencën e saj Prishtina e mohoi ditë më parë”.
“Ky është edhe një mesazh tjetër brutal nga Prishtina se serbët nuk mund të ndihen të sigurt në Kosovën e Kurtit”, kishte shkruar ajo në reagim për qëndrimin e deputetit Armend Muja.
Brnabiq tutje kishte thënë se “çfarë mund të presin serbët në Kosovë nëse Albin Kurti ka targetuar vëllain dhe djalin e Vuçiqit”.
Për këtë reagim të Bërnbaiqit s’ka qëndruar pa reaguar deputeti Armend Muja, i cili i është kundërpërgjigjur kryeministres serbe sot në “twitter”.
Muja ka thënë se Qeveria Kurti s’ka ndonjë “listë”, megjithatë ka shtuar se ekziston një listë e “bandave të njohura miqësore ndaj Rusisë, të mbështetura nga Serbia, që terrorizojnë qytetarët tanë serbë në komunat veriore”.
Deputeti Muja ka këshilluar Bërnabiqin që të shikoj listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.