Armët që i gjeti Policia tek të arrestuarit e VV-së (Foto)

Prishtinë | 30 Gus 2016 | 17:32 | Nga

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dërguar edhe disa fotografi për aksionin e mëngjesit të sotëm ku u arrestuan disa anëtarë të Vetëvendosjes, me dyshimin se kanë hedhur granat në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Sipas kërkesës së disa mediumeve dhe gazetarëve që morën pjesë gjatë konferencës për media sot, për posedimin e disa fotove të dëshmive të sekuestruara gjatë aksionit të Policisë në bashkëpunim me  Prokurorinë, po ua përcjellim në vazhdim disa nga fotot si në vijim, përderisa detajet tjera i keni marr si nga komunikata e përbashkët edhe gjatë konferencës për media”, thuhet në njoftimin e Policisë.

arme1 arme2
arme

Më herët në një konferencë për media Luan Keka nga Drejtoria e Anti- terrorizëm në Policinë e Kosovës, kishte thënë se rasti i 4 gushtit, kur është sulmuar Kuvendi i Kosovës, është cilësuar si vepër kundër rendit kushtetues, e që ka të bëjë me vepra terroriste. Sipas tij, gjatë hetimeve janë gjetur dëshmi relevante që kanë kontribuuar në vazhdimin e hetimeve, i cili ka rezultuar me arrestimin e gjashtë peronave.

“Kemi arritur të identifikojmë mjetin me të cilin autorët e krimit e kanë kryer aktin si dhe mjetet e transportit që kanë përdorur. Ai ka qenë një motor i blerë në Kosovë, ku shihet personi i dyshimtë, i cili tanimë është pjesë e grupit të arrestuar. I njëjti motor është përdor në kryerjen e veprës penale si dhe më vonë është munduar të shkatërrohet, të zhduken gjurmët”.

“Gjithashtu ne kemi arritur të sigurojmë edhe sa persona kanë qenë të involvuar në blerjen e motorit në lokacionin e caktuar në Kosovë, persona të cilët janë të njohur për policinë dhe të cilët gjinden tanimë në ndalim policor…Ne kemi pasur bashkëpunim me Prokurorinë, gjykatat kompetente dhe me operatorë të ndryshëm të telefonive vendore dhe ndërkombëtare, për të arritur deri tek rezultati, prej nga është përdor e-maili prej nga është dërguar, me çfarë pajisje. Të gjitha këto të dhëna e kanë dërguar grupin i cili sot është arrestuar në operacionin e mëngjesit”, ka thënë Keka.

Në anën tjetër Prokurori i Prokurorisë Speciale  Abdurrahman Islami ka thënë se Prokuroria që nga data 5 gusht ka vepruar, për të vërtetuar dyshimet që kanë lindur nga ky rast dhe sot është kryer aksioni i arrestimit të gjashtë të dyshuarve, që kanë të bëjnë me sulmin ndaj Kuvendit, i cili është cilësuar si vepër terroriste.

“Me këtë çështje që nga momenti i parë, janë marrë në pyetje dhe janë zhvilluar hetime ndaj shumë personave të tjerë dhe në përfundim kemi ardhur pas veprimeve që janë ndërmarrë, kemi ardhur tek këta gjashtë të dyshuar për të cilët prokuroria konsideron se ka prova të mjaftueshme se të njëjtit kanë kryer veprën penale, për të cilën pjesëmarrja në grupe terroriste, kryerje e veprës terroriste…që nga momenti kemi pasur veprime të përbashkëta pa ndërprerë”.

“Jo që i kemi pushu në një moment. Policia që nga dita e parë të gjitha ato shkëndijat e para që janë dhënë, për një dëshmi diçka i kemi verifikuar dhe ka ardhur në fund deri tek ky konstatim, konkludim në bazë të cilit mendojmë se ka vend për hetime të mëtutjeshme, që këta të njëjtit janë dhe kryes të veprës penale, për të cilat do të parashtrojmë dhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatë”, ka thënë Islami.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme