Prej disa orësh, liria e shprehjes dhe e mendimit ka humbur një nga gjeneralët e saj. Andrea Stefani vendosi, jashtë dëshirës së tij dhe të të dashurve të tij, të na lërë shumë shpejt. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta, sëmundje ndaj së cilës ai luftoi fort deri në sekondën e fundit. Andrea ishte kështu, një luftëtar. Në radhën e parë të atyre që mbronin lirinë dhe dimensionin e saj të shenjtë që shqiptarët e rifituan 25 vjet më parë. Lirisë i kushtoi libra ndërsa armiqve të saj, gjithë jetën e tij.
E provuan këtë rezistencë të këtij korifeu të gjithë me radhë. Nga e djathta në të majtë. E provoi Sali Berisha herën e parë dhe sidomos herën e dytë në pushtet. E provoi Edi Rama, kur tentoi t’i bënte atentat Kushtetutës në 2008-ën. E provoi Ilir Meta në 2011-ën. E ndjeu në kurriz Lulzim Basha, kur mori partinë në 2013-ën. E ndjenim të gjithë ne, kur sa herë mendonte që si njerëz të shtypit, sipas tij gabonim në misionin tonë.
Andrea ishte i rreptë me të gjithë, por të gjithë e dinim se ai nuk kishte asgjë personale më kërkënd. Në jetën e tij publike ai ishte martuar me lirinë dhe asaj i qëndroi besnik deri në fund. Për këtë pagoi kosto, sulme, stigmatizime, por nuk rreshti së qeni gjithmonë kundër rrymës, nëse e mendonte se ishte me të drejtën. Ai ishte aq i pavarur sa nuk ngurronte të merrte anë, të bëhej pjesë, të mbështeste njërën palë apo tjetrën, edhe nëse i kishte kritikuar më parë. Mbështeti rikthimin e Berishës, sepse besoi tek ndryshimi i tij me çiltërsinë e një fëmije. Doli në grevë me Ilir Meten, kur ai protestoi për ndryshimin e Kushtetutës, por i doli kundër atij, kur u bashkua me Berishën në 2009-ën. U vetëshpall kritiku më i madh i Edi Ramës, kur ai bëri paktin me PD për Kushtetutën, por mbështeti ardhjen e tij si kryeministër, kur mendoi që tashmë e djathta duhet të dilte në opozitë dhe të ndryshonte lidership. Thënë këto, vështirë të besosh se Andrea e pati ndonjëherë gabim. Pasi si Andrea menduan më pas edhe shumica e shqiptarëve. Dhe shqiptarët nuk kanë zgjedhur asnjëherë gabim.
Për këtë arsye Andrea Stefani do t’i mungojë të gjithëve. Gruas, fëmijëve, familjarëve, miqve dhe kolegëve. Por, nga sot Andrea Stefani do t’u mungojë më shumë atyre që vetëquhen armiq të tij, apo atyre që ai i kritikoi. Në sistemin tonë demokratik, liria është karburanti që ushqen shoqërinë dhe të gjithë, dhe ata që Andrea Stefani i kritikonte, e dinin se pas kritikave të tij, ata reflektonin e ndryshonin. Nga sot, as këta nuk do ta kenë më këtë fat.
Andrea Stefani për misionin e tij në mbrojtje të lirisë, kishte braktisur profesionin e tij si gazetar i mirëfilltë. Ai hyri në historinë e gazetarisë shqiptare si gazetari i parë ekonomik, me analizat e tij brilante për ekonominë kaotike të tranzicionit shqiptar. Ai ishte i pari që arriti të analizonte me shifra sesi kontrabanda e naftës me ish-Jugosllavinë në vitet ‘90, përcaktonte kurbën e shkëmbimit të valutave në vend, si dhe ndër të parët që arriti të përkufizonte me saktësi milimetrike dëmin financiar të piramidave në 1997.
Kontributi i tij në gazetarinë e pavarur dhe të pakompromis, është sot, që ai nuk jeton më, një shembull edhe më dramatik se sa humb liria e medias me largimin e tij të parakohshëm. Thënë thjesht dhe shkurt, sot kemi humbur një njeri të mire, një njeri që la pas një emër të mirë. Në këtë kohë që jetojmë, kjo e shumëfishon vlerën e humbjes së tij dhe vlerën e Andrea Stefanit, njeriut që iku nga kjo jetë, duke e marrë me vete të paprekur, të panjollosur, lirinë e tij.