Arnold Schwarzenegger zbuloi në serialin e ri të Netflix “Arnold” se ish-gruaja Maria Shriver ishte tronditur kur mësoi për lidhjen e aktorit në vitin 1996 me shërbëtoren e çiftit.
Lidhjen e Schwarzenegger me Mildred Baena ish-gruaja Shriver nuk e zbuloi deri në vitin 2011 gjatë një seance këshilluese për çiftet.
“Maria dhe unë shkonim në këshillim një herë në javë. Në një nga seancat, këshilltari tha: “Unë mendoj se sot Maria dëshiron të jetë shumë specifike për diçka. Ajo dëshiron të dijë nëse ju jeni babai i Jozefit”. Dhe unë isha sikur – mendova se zemra ime ndaloi dhe më pas thashë të vërtetën. Ajo u trondit. Unë pata një lidhje në vitin 1996. Në fillim vërtet nuk e dija”, kujton Schwarzenegger në dokumentarin që do të publikohet më 7 qershor.
“Unë mendoj se i kam shkaktuar mjaft dhimbje familjes sime për shkak të gabimit tim. Të gjithë duhej të vuanin. Maria duhej të vuante. Fëmijët duhej të vuanin. Joseph, nëna e tij… Të gjithë”, tha ai në Netflix.
Pas zbulimit, Shriver bëri menjëherë kërkesën për divorc, megjithatë, marrëveshja pronësore e Shriver dhe Schwarzenegger e mbajti divorcin larg finalizimit deri në vitin 2021.
Ish-çifti, i cili ishte i martuar për 25 vjet përpara se të ndahej, ka katër fëmijë: Katherine, Christina, Patrick dhe Christopher.
“Do të më duhet të jetoj me të pjesën tjetër të jetës sime”, tha Schwarzenegger. “Njerëzit do të kujtojnë sukseset e mia dhe ata gjithashtu do të kujtojnë dështimet e mia. Ky është një dështim i madh”.
Dokumentari i Netflix “Arnold” ndjek karrierën e aktrimit të Schwarzenegger dhe kalimin e tij në politikë. Ai gjithashtu eksploron jetën personale dhe skandalet e aktorit.