Arresti i Tahirit përgëzohet nga BE

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 17:19 | Nga

Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për të lënë në arrest shtëpie Saimir Tahirin është përgëzuar këtë të dielë nga ana e Ambasadës së BE-së në Tiranë.

Përmes një njoftimi për shtyp, BE shkruan se zhvillimet e fundit janë pozitive lidhur me hetimin e rasteve të korrupsionit e krimit të organizuar. Nga ana tjetër në njoftim vihet theksi dhe tek elementi i “prezumimit të pafajësisë”, një mesazh që duket se kërkon të shkojë në “veshin” e opozitës e cila e ka akuzuar edhe dje Saimir Tahirin e Edi Ramën si të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe kanabizimin e vendit.

Në fund të njoftimit BE bën të qartë se hetimi dhe dënimi i korrupsionit mbetet një pikë thelbësore që do të afrojë Shqipërinë me familjen evropiane.

“Bashkimi Evropian përgëzon punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zhvillimet e fundit pozitive lidhur me hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa rikujton se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore, Bashkimi Evropian gjithashtu shpreh pritshmërinë e tij që autoritetet shqiptare ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme