Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova, për herë të parë ka treguar se cila polici do t’i kryejë arrestimet e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Trendafilova, në një intervistë të publikuar të enjten, ka thënë se Policia e Kosovës do të merret me arrestimin dhe sjelljen në Gjykatë Speciale të të kërkuarve nga këto dhoma të Specializuara.
Ajo ka theksuar se një gjë e tillë është rregulluar me ligj, porse nëse është e nevojshme, Gjykata Speciale mund të kërkojë edhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Ashtu siç parashihet në Ligj, ne mund të mbështetemi në Policinë e Kosovës, si edhe në cilëndo gjykatë të Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Specializuar mund të vërë në zbatim urdhrat e tij nëpërmjet një force policore brenda Zyrës së tij. Çdo urdhër dhe vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ku përfshihen edhe kontrollet sekuestrimet dhe arrestimet e të dyshuarve në territorin e Kosovës, duhen zbatuar. Këtë e dikton Ligji. Gjithashtu, në rast se del e nevojshme ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndërkombëtar”, ka deklaruar kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekatarina Trendafilova.
Në intervistën për BIRN, gjyqtarja Trendafilova, ka deklaruar edhe se Gjykata Speciale që ajo e drejton, personave të akuzuar do t’u garantojë gjykim të drejtë dhe të shpejtë