Arrestimi i dy personave në Ferizaj për spiunazh, Shala: AKI dëshmoi se është në krye të detyrës

Prishtinë | 06 Qer 2024 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Dy persona u arrestuan të mërkurën në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh.

Shtetasit kosovarë me inicialet, M.Q dhe B.SH u arrestuan pas një hetimi disamujor nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në.

Për këtë ka reaguar eksperti i sigurisë, Drizan Shala i cili thotë se me këtë rast AKI dëshmoi se është në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin dhe ruajtur sigurinë e Kosovës.

Ai ka theksuar se ky është një mesazh për politikën e Beogradit dhe për të gjithë që veprojnë njësoj.

“Arrestimi i spiunëve kosovarë mesazh për politikën e Beogradit dhe të gjithë që veprojnë njësoj! AKI dëshmoi se është në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin dhe ruajtur sigurinë e Kosovës. Sot dhe nesër jemi të sigurt, por nga ky veprim edhe e ardhmja është tregues se do të jetë e sigurt”, ka shkruar Shala në Facebook.

“Faleminderit: Heronjtë tanë të heshtur”, ka vijuar ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Të ngjashme