Arrestimi i ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, nga Gjykata Speciale është një zhvillim që ngre pyetje të rëndësishme lidhur me sigurinë kombëtare dhe funksionimin e shërbimit inteligjent në Kosovë.
Kur akuzohet një personalitet që ka mbajtur një rol të tillë kritik pasojat janë të shumanshme, qoftë në perceptimin publik, qoftë në integritetin institucional.
Për sigurinë e Kosovës arrestimi i një ish-drejtuesi të inteligjencës vë në pikëpyetje transparencën dhe etikën brenda këtij institucioni! AKI, si institucioni kryesor për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, është projektuar për të vepruar me neutralitet dhe profesionalizëm të lartë.
Smakaj nga pozita funksionale ka pasur qasje në informacione sensitive apo strategjike gjatë mandatit të tij, jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për çështje politike dhe juridike, arrestimi mund të hapë rrugën për shqetësime lidhur me sigurinë e këtyre të dhënave dhe mundësinë e keqpërdorimit të tyre, me theks në procedurat e torturave gjatë intervisitimit.
Nëse i referohemi faktit se ka pasur një bastisje më herët në shtëpinë e tij, dhe mund të jen marrë materiale sensitive, atëherë të dhënat e tilla kanë potencial të ndërlikojnë më tej proceset juridike kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së ose të tjerëve të përfshirë.
Kjo ngre pyetje të rëndësishme për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në rrjedhën e drejtësisë dhe balancën mes përgjegjësisë individuale dhe asaj institucionale. Ky shqetësim bëhet edhe më i rrezikshëm pas paralajmërimit të vet presidentit të përzgjedhur në SHBA, Trump i cili paralajmëroi mundësinë për trajtime deri edhe eliminim fizik, siç citoi ai.
Ky rast gjithashtu prek imazhin e institucioneve shtetërore të Kosovës në sytë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë qoftë edhe si perceptim publik. Arrestimi i një ish-shefi të AKI-së për akuza të tilla ngre dyshime mbi funksionimin e brendshëm të këtyre strukturave dhe integritetin e udhëheqjes së tyre. Besimi publik në institucionet e Kosovës është i brishtë dhe raste të tilla vetëm sa e rëndojnë këtë situatë.
Ky duhet të jet një moment reflektimi për Kosovën. Ky rast tregon nevojën për reforma më të thella në institucionet e sigurisë dhe për një qasje më të përgjegjshme ndaj menaxhimit të informacionit. Mbi të gjitha, ky rast vë në pah sfidat që Kosova përballet për të balancuar mes ruajtjes së sigurisë kombëtar dhe përmbushjes së standardeve të larta të drejtësisë dhe përgjegjshmërisë.