Arrestimi i Mujecit, ish-kryeinspektori i AKI-së: Autoritetet kosovare kanë qenë në dijeni

Prishtinë | 16 Gus 2023 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë qenë në dijeni për transportimin e drogës nga Prishtina në Tiranë, por shtoi se atyre u është dashur të mos reagojnë në mënyrë që të përfundojë me sukses arrestimi i të gjithëve të përfshirë në kontrabandë.

Sipas tij, autoritetet kanë qenë nën vëzhgim të dërgesës me 11 mijë doza ekstazi, prej nisjes nga Kosova e deri në momentin kur edhe janë arrestuar të dyshuarit, në mesin e tyre edhe ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Qëllimi primar i një dërgese të kontrollume është mos me u arrestu në Kosovë. Edhe pse e kanë ditë institucionet ndoshta që ka, edhe është qajo drogë, edhe po niset prej Kosove në Shqipëri – mos me prishë operacionin, duhet me u kontrollu qajo dërgesë sepse kjo i bjen që ata kanë qenë në vëzhgim, prej momentit kur janë nisë deri në momentin kur janë arrestu”.

Mirëpo tha se po të kryej arrestimi i dy kosovarëve, në Kosovë, atëherë tre të tjerët të Shqipërisë që e prisnin porosinë do mbeteshin pa u arrestuar.

“Nuk është dashur Kosova në asnjë rrethanë me i arrestu, me i ndalu këta këtu, sepse ne do t’i kishim arrestuar dy kosovarë, por edhe tre të Shqipërisë që janë kanë duke e pritë dërgesën kishin mbetë pa u arrestu”, tha Sopjani në Klan Kosova.

Tutje sqaroi se, sipas tij, ajo sasi e drogës është menduar t’u shitet të rinjve nëpër vendet bregdetare të Shqipërisë.

“Ajo drogë është mendu kryesisht me u shitë në vendet bregdetare të Shqipërisë, sepse ekstazia përdoret prej të rinjve jashtëzakonisht shumë. është njëra prej drogave sintetike më të përdorura”, tha ai. /Reporteri.net/.

Të ngjashme