Policia e Kosovës ka realizuar dy operacione policore, ku kanë arrestuar 12 persona të dyshuar për falsifikim të dokumenteve e kontrabandë me migrantë, pas një hetimit të përbashkët me Europolin, raporton Ekonomia Online.
Operacioni i parë është realizuar në muajin tetor të vitit të kaluar ku si rezultat janë arrestuar tre persona, ndërsa i dyti gjatë ditës së sotme (24 mars), ku kanë përfunduar në pranga 9 persona.
Në këto operacione janë gjetur makina për prodhimin e dokumenteve false.
Florie Hajra, drejtoreshë në Drejtorinë kundër krimit të organizuar në Policinë e Kosovës, tha se janë kontrolluar gjithsej 17 lokacione.
“Është realizuar operacioni i dytë i sukseshëm ndaj dy grupeve kriminale që lidhen me kontrabandë me migrantë dhe falsifikim me dokumente. Në operacionin e parë janë kontrolluar 5 lokacione kurse janë arrestuar 3 persona në operacionin e dytë janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë arrestuar 9 persona. Në këto lokale janë gjetur makina për prodhim falsifikues të dokumenteve. Gjatë kontrollit të lokacioneve në të dy këto operacione janë gjetur punëtori (laboratorë) të pajisur me aparatura dhe materiale që janë shfrytëzuar për prodhimin e dokumenteve të ndryshme të falsifikuara si dhe me qindra dokumente të falsifikuara si pasaporta, kartela identifikimi, patentë shoferi të falsifikuara të më shumë se gjashtëmbëdhjetë (16) shteteve të ndryshme kryesisht të vendeve të BE-së. Kjo është bërë në bashkëpunim me Europolin, Shqipërinë si dhe disa shtete të BE-së. Provat materiale do të shkojnë për ekzaminim në Agjencinë e Forenzikës”, tha Hajra.
Prokurorja nga Prokuroria Speciale, Habibe Salihu, tha se për operacionin e parë nuk e kanë bërë publike pasi nuk kanë dashur ta dëmtojnë procesin.
“Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë ka realizuar një aksion me tre persona të arrestuar. Aksioni që është bërë në fund të muajit tetor nuk është bërë publik pasi s’kemi dashur të dëmtojmë procesin”, tha Salihu.