Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës të kryer më 4 gusht 2016, ka arritur të identifikojë të dyshuarit, të cilët kanë planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin, si dhe kanë marrë përgjegjësinë për kryerjen e këtij sulmi.
“Ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të GjykatësThemelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë”.
“Ndaj gjashtë të pandehurve me iniciale; A.B, A.A, A.D, E.H, F.K dhe P.A është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë.
Siç theksohet në njoftim, gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
“Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse”, thuhet në njoftim.