Arrestohen 7 persona në operacionin “Qielli i Thyer”, sekuestrohet drogë, para e 34 automjete

Prishtinë | 24 Sht 2025 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Janë arrestuar shtatë persona gjatë operacionit të Prokurorisë Speciale me Policinë e Kosovës të koduar me “Qielli i Thyer”, që ndodhi gjatë ditës së sotme në 25 lokacione.  Prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Gjatë aksionit janë sekuestruar drogë, para, armë zjarri, 34 automjete e çka jo tjetër.

Komunikata e plotë:

Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e  Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën është zhvilluar një operacion policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.

Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.

Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:

• 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;

• Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;

• 11,065 euro para të gatshme;

• 34 automjete;

• Shtatë (7) armë zjarri;

• Dokumente personale me identitet të rremë;

• Pajisje elektronike;

• Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.

Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë ligjin dhe rendin.

https://www.facebook.com/share/v/17AZ2zYBWs

Të ngjashme