9 persona janë arrestuar në Shkodër dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim në përfundim të operacionit të koduar “Garantuesit”, të cilët trafikonin njerëz drejt Anglisë dhe SHBA, nëpërmjet një skeme që funksiononte në bazë të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme të identitetit, etj.
Mësohet se është sekuestruar gjithashtu një laborator që shërbente për falsifikimin e dokumenteve si dhe prova të shumta materiale të kësaj skeme trafiku, transmeton tch.
Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të procedimit penal të vitit 2018, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ky grup i mirë-organizuar kryente veprimtari kriminale në drejtim të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA-së. Këto veprime bëheshin kundrejt pagesës së shumave të ndryshme që varionin nga 8.000 euro deri në 12.000 euro.
Ndihma e ofruar konsistonte ne falsifikimin e dokumenteve në vendet e origjinës shtete të BE-së, ku këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, mundësonin gjetjen e personave dhe më pas, pajisjen e tyre me dokumente te falsifikuara (karta identiteti italiane dhe greke, viza, leje drejtimi, karta studenti etj.) dhe nga përdorimi i tyre mundësohej kalimi për në Angli dhe SHBA.
Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Sicili)-Itali, – Maltë – Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri – Kosovë – Kroaci – Itali – Maltë – Angli – SH.B.A.
Po kështu këta shtetas u ofronin personave të interesuar, kundrejt pagesës, shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë nëpër zyra të ndryshme të Gjendjes civile të Shqipërisë.
Autorët e arrestuar dhe rolet që kryenin në grup janë:
• Gazmend Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër,. Ky shtetas ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit.
• Sotiraq Antoni, 52 vjeç, banues në Korçë, ne rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri.
• Haxhi Ramadani, 54 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, në rolin e bashkëpunëtorit.
• Bledjan Ramadani, 29 vjeç, banues në Kosmaç Shkodër, në rolin e ndihmësit.
• Eduart Shima, 37 vjeç, banues në Shkjezë, Shkodër në rolin e rekrutuesit.
• Pllumb Pali, 47 vjeç, banues në Gruemirë, Malësi e Madhe. Siguronte dokumente të falsifikuar (falsifikator).
• Shpëtim Kiri, 59 vjeç, banues në Shkodër dhe Korçë, në rolin e transportuesit dhe ndihmësit.
• Nikolla Mano, 59 vjeç, banues në Korçë, banesa e tij përdorej si bazë dhe kishte një laborator për falsifikimin e dokumenteve.
• Tonin Shtjefni 27 vjec banues ne lezhe, perfitues dhe perdorues I dokumentave te fallsifikuar.
Ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit:
K.P.,46 vjeç, banues në Lezhë, në rolin e ndihmësit pasi ndërmjetësonte martesat fiktive me shtetase bullgare.
Y.Th. 36 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, i shpallur në kërkim për “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”, dhe “Prodhim e shitje narkotikësh. Ky person kishte rolin e ndihmësit.
Në kuadër të këtij hetimi në përfundim të operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
Laborator për falsifikimin e dokumenteve, ku u gjetën 3 njësi kompjuteri, 2 laptopë, 5 skanera, 5 printera, 3 printer-skaner, 5 vula të ndryshme, 14 usb, 17 tampona vulash, 1 pasaportë biometrike, 1 kartë identiteti, 10 platforma me strukturë plastike, 2 karta identiteti të huaja, fotografi pasaportash, materiale kancelarie të ndryshme, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa 2 kg, 9 copë telefona celulare, 4 automjete të markave të ndryshme, dhe 1 armë gjahu.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.