Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar një mashkull dhe një femër, si të dyshuar për vrasjen e 16-vjeçarit Aulon Zeka.
“Në orët e mbrëmjes ndaj dy personave është shqiptuar masa e arrestit policor, të cilët me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë për t’i proceduar më tej fazat tjera të procesit hetimor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, për Indeksonline.
“Dy të arrestuar, një femër dhe një mashkull që të dy të mitur, Policia po zhvillon hetimet lidhur me dyshimet e ngritura nëse të njëjtit ndërlidhen në ndonjë formë me rastin në fjalë”, ka përfunduar Borovci.
Policia nuk jep emrat e të ndaluarve, por burimet thonë se ata janë Guxim Hadri dhe vajza e përfshirë në lidhje dashurie me të, me inicialet R. G.
Guxim Hadri e kishte “paralajmëruar” vrasjen në rrjetet sociale
Pas vrasjes së 16-vjeçarit, Aulon Zeka në Prishtinë, Policia e Kosovës tashmë ka identifikuar edhe personin e dyshuar lidhur me këtë rast.
Guxim Hadri, është personi i dyshuar, lidhur me vrasjen e Aulon Zekës.
Ndërkohë Indeksonline ka siguruar një fotografi në të cilin shihet një shkrim i bërë nga vetë personi i dyshuar, ku edhe kishte paralajmëruar për veprimin e djeshëm.
Pak më parë Indeksonline ka raportuar se motivi kryesor i kësaj vrasje kishte të bënte me një lidhje dashurie, teksa pikërisht në fotografinë në fjalë bëhet e ditur një gjë e tillë.