Arrestohen dy persona për fajde në Prizren, dyshohet se tentuan t’ia marrin viktimës shtëpinë dhe dy lokale rreth 1 milion euro

Prishtinë | 11 Mar 2026 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Fajde”, pas një operacioni policor të zhvilluar të mërkurën.

Sipas një komunikate të përbashkët, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas veprimeve hetimore të zhvilluara me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas zhvillimit të veprimeve hetimore, sipas autorizimit nga Prokuroria Themelore në Prizren, sot me datë 11.03.2026 ka organizuar një operacion policor për arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me veprën penale ‘Fajde’ nga neni 331 i KPK-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë ushtruar presion ndaj viktimës për pagesa të ndryshme parash në emër të interesit për fajde.

“Të dyshuarit me veprimet e tyre në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të paguaj shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes formave të ndryshme të presionit, kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e të cilave është rreth 1 milion euro”, thuhet më tej.

Autoritetet bëjnë të ditur se të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë përpjekjes për ta detyruar viktimën të rregullojë dokumentacionin për bartjen e pronësisë së pasurisë.

“Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes së tyre për ta detyruar viktimën në rregullimin e dokumentacionit për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve pronë e viktimës”, theksohet në komunikatë.

Po ashtu, me urdhër të gjykatës është kontrolluar vendbanimi i të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale.

“Me urdhëresë nga gjykata është kontrolluar vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”.

Ndaj dy të dyshuarve, E.K. dhe A.K., Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim.

Të ngjashme