Policia bën të ditur se më 15.08.2016 rreth orës 23:55 në fshatin Gorazhdevc në Komunën e Pejës, është sulmuar fizikisht shtetasi kosovar i kombësisë serbe Milosav (Milan) Pavloviq, lindur 19.08.1950, banues i këtij fshati.
Menjëherë pas raportimit të këtij rasti, njësitë relevante të Policisë Kosovës, përkatësisht të Nënstacionit policor në Gorazhdevc dhe Stacionit policor në Pejë, iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes.
“Kanë kontaktuar viktimën Pavloviq nga i cili janë njoftuar se ishte sulmuar fizikisht në tarracën e shtëpisë së tij nga dy persona të dyshuar, të cilët e kishin qëlluar me shuplakë dhe shqelma duke i shkaktuar lëndime trupore”.
“Gjatë ikjes njeri nga të dyshuarit (sipas viktimës) iu ka drejtuar viktimës në gjuhë serbe “Ovo ti je za Taćija”, duke ikur nga vendi i incidentit, për viktimën të dyshuarit ishin të panjohur. Viktima ishte dërguar në Spitalin rajonal Pejë për t’i dhënë ndihmën mjekësore dhe më pas është liruar për në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, Njësitet hetimore intensivisht kanë punuar në ndriçimin e këtij rasti, të dyshuarit janë identifikuar dhe të njëjtit janë arrestuar, intervistuar në prezencën e mbrojtësit ligjor, avokatit dhe prindërve të tyre.
Me urdhër të prokurorit shtetit të dyshuarve me iniciale M.(Srdjan)B.lindur 12.04.2000 dhe I.(Nenad)B. lindur 19.09.1999, iu është caktuar masa e ndalimit policor.
Sipas të dhënave hetimore, motiv i rastit që ishte sulmuar viktima Pavloviq nga të dyshuarit ishte një mosmarrëveshje para dy viteve në një kafiteri në fshatin Gorazhdevc me një person të afërm të viktimës (Pavloviq).