Hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, dje kanë arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “grabitje ”.
Ngjarja ka ndodhur më 21 shtator rreth orës 00:30 minuta në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, kur të dyshuarit, B.G. ( 21 vjeç) dhe V.G.(16 vjeç) kanë sulmuar fizikisht dy viktimat, shtetase të Republikës së Shqipërisë, punëtore në një lokal, të cilat pas përfundimit të orarit të punës ishin duke shkuar në banesën e tyre, ku me këtë rast të dyshuarit me forcë kanë marrë çantat e krahut në të cilat viktimat kishin dokumentet personale dhe rreth 5 mijë euro dhe pastaj janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Hetuesit policor tek i dyshuari B.G.kanë gjetur dhe konfiskuar 2 mijë e 750 euro, një orë dore dhe një bateri, të cilat do të shërbejnë si prova materiale.
Të dyshuarit në prezencë të avokatëve dhe punëtorit për punë sociale kanë pranuar në tërësi veprën e kryer dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit B.G. është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa ndaj të miturit V.G. ndalim policor për 24 orë.