Arrestohen familjarët e ministrit që fituan disa tenderë nga Qeveria Kurti

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 22:49 | Nga Ekonomia Online

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë arrestuar sot dy familjarë të Fikrim Damkës, ministrit të Zhvillimit Rajonal.

Gazeta Insajderi zbulon se personat e arrestuar janë Anil dhe Sefçet Damka, të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Me vendim të prokurorit i dyshuari Anil Damka është dërguar ne Qendrën e Mbajtjes, ndërsa i dyshuari Sefçet Damka me rekomandim të mjekëve dhe në konsultim me Prokurorin e rastit për shkaqe shëndetësorë dërgohet për trajtim në përkujdesje mjekësore në sigurim të Policisë.

Sipas policisë gjatë vitit 2021 pronari dhe i autorizuari i një biznesi kanë përfituar tender nga Institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, njofton Policia.

Anil Damka, përmes kompanisë së tij MEB L.L.C., së fundmi ka fituar dy tenderë nga qeveria e Albin Kurtit.

Më 28 prill, Damka e ka fituar një tender prej mbi 30 mijë eurove, për sigurimin fizik të objektit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Pak ditë më pas, më 4 maj, po MEB L.L.C. e ka fituar edhe një tender tjetër nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objektit në shfrytëzim të dikasterit të Hekuran Muratit, i cili gjendet në rrugën “Tring Smajli”, në Prishtinë.

Vlera e kësaj kontrate kap shifrën e mbi 12 mijë eurove, shkruan Insajderi.

Media nuk ka mundur të flasë me familjen Damka, lidhur me rastin në fjalë. 

Të ngjashme